Si i rivendosi Kurti kontaktet me UNMIK-un, misionin e harruar në Kosovë?
BKT
Lajme

Si i rivendosi Kurti kontaktet me UNMIK-un, misionin e harruar në Kosovë?

Rusia po vazhdon të bëjë përpjekje serioze për rritjen e ndikimit të saj në Ballkanin Perëndimor, përfshirën edhe në Kosovë. Ka kohë që ekziston hapur një luftë e saj diplomatike për të dobësuar Bashkimin Evropian dhe për t’i përmbushur interesat e veta në rajonin tonë.

Këto ditë u shpall “non-grata” edhe një zyrtar rus i UNMIK-ut, përkatësisht Andrey Nikolaevich Antonov, i cili ka qenë i ngarkuar me punë në degën e UNMIK-ut në Mitrovicën Veriore dhe po ushtronte presion mbi strukturat politike serbe për të ndërmarrë veprime radikale.

Megjithatë, është pikërisht kryeministri Kurti ai që e kishte rifaktorizuar këtë mision të harruar në Kosovë, shkruan Demokracia.com.

Më 11 tetor 2021, Kurti kishte bërë një veprim tërësisht në kundërshtim, jo vetëm me angazhimin e tij politik gjatë dy dekadave, por edhe me qasjen e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Së pari, ai kishte zhvilluar takim me shefin e UNMIK-ut, Tahir Zanin, përkundër faktit se gjatë gjithë karrierës së tij politike, Kurti e kishte kundërshtuar në shumë forma prezencën në Kosovë të UNMIK-ut.

Në njërën prej protestave, atë të vitit 2007, ishin vrarë dy protestues, Mon Balaj dhe Arben Xheladini. Një vit pas asaj proteste, Kurti akuzonte krerët e këtij misioni si urdhërdhënës të vrasjeve.

“Nuk mund të thuhet se sistemi i drejtësisë ka dështuar, për shkak se ai as që ka provuar e as që ka tentuar të zbatojë drejtësi për demonstratën e 10 shkurtit. UNMIK-u nuk do që të zbardhet e vërteta, sepse do të zbuloheshin edhe krerët e UNMIK-ut si urdhërdhënës të këtij krimi”, kishte thënë Kurti.

Së dyti, vendimi i kryeministrit Kurti për ta takuar shefin e UNMIK-ut, Tahir Zanin, ishte në kundërshtim të plotë me qëndrimin e deritashëm të institucioneve të Republikës së Kosovës për raportin e ri që duhet të ndërtohet ndërmjet shtetit të ri dhe OKB-së.

Ish – Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në korrik të 2015-es, kishte kërkuar nga OKB-ja që ta mbyllin UNMIK-un dhe të mos shpenzonin para kot. Kërkesa e institucioneve të Kosovës mbështetej në faktin se UNMIK-u nuk ka kompetenca në Kosovë dhe se Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, të pranuar nga shumica e shteteve të botës.
Disa vite më vonë, kryeministri Ramush Haradinaj kishte ndërprerë zyrtarisht komunikimin e Qeverisë së Kosovës me UNMIK-un. Përveç kësaj, Qeveria e Kosovës nuk e njihte UNMIK-un si strukturë përfaqësuese në Kosovë.

Në atë kohë, këshilltari politik i Haradinajt, Halil Matoshi, kishte deklaruar se në parim shkëputja e komunikimit me UNMIK-un ka ndodhur “më 17 shkurt 2008, kur Kosova është shpallur shtet sovran dhe i pavarur, si dhe ka marrë njohje ndërkombëtare, duke u bërë entitet juridiko-politik i pranuar ndërkombëtarisht”. Por, sipas tij, qeveria e Haradinajt tashmë edhe praktikisht kishte shkëputur komunikimin me UNMIK-un.

“Së fundmi, në qeverinë Haradinaj, praktikisht edhe komunikimi i kurtoazisë është shkëputur, për arsye se objektivisht, synimet e Kosovës janë rrugëtimi euroatlantik dhe anëtarësimi në BE dhe NATO dhe ne nuk e shohim asnjë interes që Kombet e Bashkuara t’i përfaqësojë një strukturë që quhet UNMIK. Praktikisht, Qeveria e Kosovës më nuk e njeh një strukturë të tillë në vendin tonë”, deklaronte Matoshi.

Gjatë gjithë kësaj kohe Kurti si kryeministër është kritikuar për shpërputhjen e madhe të veprimeve me Kurtin si opozitar. /Demokracia.com/


MË SHUME NGA Lajme