Ndalimi i prodhimit të kriptovalutave, Drecun: Serbët po frikësohen
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Millovan Drecun, vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e prodhimit të kripovalutave e ka parë si tentim të qeverisë për të ndërmarrë aksione në Veri të vendit.
“Tani ata kanë ndaluar nxjerrjen e Bitcoin-it, gjë që mund të jetë arsye që njësitë speciale të pushtojnë veriun e Kosovës”, ka thënë ai në një prononcim për Radiotelevizionin e Serbisë.
Drecun, duke folur në emër të qytetarëve serbë të Kosovës, ka thënë se “serbët në Kosovë po kanë frikë nga veprimet e mundshme të njëanshme të Prishtinës me përdorimin e njësive speciale dhe dhunën”.
Deputeti i partisë së Aleksandër Vuçiçit përkundër se ka hedhur spekulime për aksion të mundshëm, i pyetur për konkretizime e ka pranuar se nuk ka të tilla dhe as që ka tregues që tregojnë se po përgatitet një aksion më i madh konkret i njësive speciale.
“Por, në asnjë rast nuk përjashtohet mundësia e përshkallëzimit, sepse janë krijuar parakushtet”, u shpreh ai, përcjell Albanian Post.
“E shihni që kanë futur gjendjen e jashtëzakonshme në fushën e energjetikës, se ka kufizime të vazhdueshme për energjinë elektrike. Shqiptarët e mbështesin këtë, sepse Kurti vazhdimisht shkon me historinë se veriu i Kosovës është fajtor për këto mungesa të energjisë dhe Serbia”, tha Drecun.























