Për të tretën herë me radhë alarm i rrejshëm për sulm me bombë
Një telefonatë anonime për mjete shpërthyese në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë ka mobilizuar sot Policinë e Kosovës, e cila ka bllokuar për të tretën herë me radhë një perimetër të caktuar në atë zonë.
Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 12:30, kemi pranuar një telefonatë anonime, përmes së cilës një person ka deklaruar se ka vendosur mjete shpërthyese në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë. Menjëherë policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës”, ka thënë ajo për KosovaPress.
Ekipi i KosovaPress-it ka dalë në vendin e ngjarjes, e si rrjedhojë ka bërë të ditur se Policia e Kosovës tashmë ka liruar për qarkullim zonën e rrethuar më herët.
“Janë larguar shiritat e Policisë. Rrjedhimisht edhe qytetarët po lëvizin, kanë mundësinë për të udhëtuar me autobusë”, thotë gazetarja nga tereni.























