KQZ ndan 4.2 milion euro për partitë politike
BKT
Lajme

KQZ ndan 4.2 milion euro për partitë politike

Komisioni Qendror Zgjedhor miraton vendimin për ndarjen e 4.2 milion eurove për partitë politike.

Mes polemikave të shumta vetëm tre anëtarë nga KQZ votuan pro dërgimit të këtyre shkeljeve në prokurori, ndërsa pjesa tjetër abstenuan. Si rezultat, KQZ nuk ka miratuar raportin e auditimit për dërgimin në prokurori të shkeljeve për blerjen e dezinfektuesve, maskave dhe pajisjeve të tjera në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar më 14 shkurt.

Ndërkohë, në mbledhjen e së enjtes, KQZ miratoi edhe vendimin për ndarjen e 4.2 milionë eurove për partitë politike në vitin 2022.

Anëtari i KQZ-së nga LVV, Sami Kurteshi tha se shkeljet e paraqitura nga auditori i brendshëm për blerjen e dezinfektuesve duhet të dërgohen në prokurori. Ai tha se një vendim i tillë duhet të merret nga KQZ-së ose do t’i dërgojë në mënyrë individuale të njëjtat. Mbështetje atij i dha edhe kolegu në KQZ, Alim Rama.

“Ajo çka është konstatuar nga komiteti i auditimit është se ka pasur shkelje zinxhir prej veprimit të parit deri në veprimin e fundit. Raporti është miratuar nga komiteti i auditimit. Unë si kryesues i komitetit të auditimit kam propozuar se ky raport dhe raporti i mëparshëm në lidhje me zgjedhjet të shkojnë në institucionet hetimore, nuk kemi nxjerr një vendim të tillë si komitet. Këtë çështje e kam diskutuar në KQZ, por këta nuk e kanë shpreh një vendim për t’i dërguar apo jo. Por unë personalisht kam shpreh për t’i dërguar në hetuesi, pasi ka shkelje zinxhirë në gjithë menaxhimin e atij projekti sa i përket dezinfektuesve” tha ai.

Por, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se nuk kanë asnjë obligim për t’i dërguar shkeljet në prokurori.

“Asnjë obligim se kemi t’i dërgojmë, raportet e auditimit janë publike, munden të vijnë t’i këqyr policia, prokuroria dhe kush dëshiron”, theksoi ai.

Ndërsa, kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj tha se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet ndaj përgjegjësve për blerjen e këtyre dezinfektuesve.

“Sekretariati ka marrë veprime, ka shtuar kontrollin e brendshëm në të gjitha hallkat nga hartimi i specifikave deri tek pranimi i të gjitha materialeve. Po ashtu, ka marrë veprime edhe ndaj të gjithë stafit që kanë qenë në hartimin e specifikave dhe pranimin e mallit. Veprimet sekretariati i ka marrë dhe për këtë është vepruar në masën e madhe nga auditorët e jashtëm që kanë qenë pjesë e auditimit”, shtoi ai.

Ndërsa, përfaqësuesja nga Zyra për Regjistrimin e partive politike, Valmira Selmani, arsyetoi vendimin për ndarjen e 4.2 milionë eurove për partitë politike gjatë vitit 2022.

“Subjektet politike financohen nga buxheti i Kosovës dhe fondi për përkrahjen e subjekteve politike që funksionon në kuadër të KQZ-së. Pjesë e këtij rekomandimi është tabela për secilin subjekt në bazë të numrit të ulëseve sa i takon buxheti... Shuma është për secilin subjekt por edhe buxheti që takon për tërë vitin 4 milionë e 200 mijë euro”, deklaroi ajo.

Në mbledhjen e sotme, po ashtu u bë zëvendësimi i anëtarëve të kuvendeve komunale në komunën e Klinë, Zubin Potok, Lipjan, Rahovec, Deçan, Pejë dhe Prizren./KP


MË SHUME NGA Lajme