Gjeneralët apo kur fjala vdes në plumb
Kulturë

Gjeneralët apo kur fjala vdes në plumb

Kritikë teatrore

Përkitazi me shfaqjen “Katër epoletat” të autorit dhe regjisorit Haqif Mulliqi. Aktorë: Ismet Azemi, Basri Lushtaku dhe Adem Zhitopotoku; muzikën Haki Mulliqi; dizajnin e dritave Murat Leka; drejtues i projektit Sabit Sheremeti

Nga Agron Gërguri

 Sikur njeriu i flet vetes para pasqyrës, apo sikur flet me kipcin e tij

“Katër epoletat” është një ndër dramat më të realizuara të dramaturgut Haqif Mulliqi, nisur edhe nga ajo që e quajmë: destinim final i tekstit dramatik, e që është vetë teatri që tutje konsiston në atë se sa herë një tekst i veçantë është inskenuar nëpër teatro të ndryshme. Nisur nga kjo na del se “Katër epoletat” është ndër tekstet më të inskenuara gjithandej nga regjisorë të ndryshëm (Orhan Kerkezi, Milto Kutali, Holger Zibler, Shaip Morina, Teodor Ignjatov, Arta Mulliqi etj.) edhe për faktin e shumësisë së leximeve dhe kuptimeve që përmban kjo dramë e Haqif Mulliqit e shkruar në fillimvitet ’80 të shekullit të kaluar.

Tema e dramës është lufta me dimensionet e saj absurde, e deshifruar përmes atyre që janë bartës të saj e që janë dy gjeneralë të një lufte shfarosëse, apokaliptike. Në territorin e ish-Jugosllavisë janë zhvilluar luftëra të tmerrshme dhe të ndyta e të pakarakter, gjithsesi shkatërruese, që mund të jetë edhe një vizion futuristik i këtij autori pasi, siç e thotë edhe ai, drama në fjalë ishte një reaksion i qartë ndaj asaj që po ndodhte në atë ish-vend, sidomos pas ngjarjeve të vitit 1981 në Kosovë. Ndaj na bëhet se dy gjeneralët e Mulliqit, Alfadori dhe Betadori, sikur vijnë nga ajo kohë me reflektimin e të bëmave të tyre që kanë rënë e rënduar fort sidomos mbi ne shqiptarët. E shkruar sikur njeriu i flet vetes para pasqyrës, apo kur njeriu flet me kipcin e tij përmes dialogëve që zbërthejnë karakterin apo karakteret sa të njëjta, po aq edhe të ndryshme, dhe përmes tyre zbërthehet një marrëdhënie sa absurde aq dhe e frikshme dhe plot dramë të brendshme deri në ballafaqim me vdekjen si një vulë e dinjitetshme apo jo, sepse vdekjen gjithsesi e vërteton jeta.

Meqë autori i tekstit ishte edhe regjisor i shfaqjes me të njëjtin emër që u dha si premierë në Teatrin e Qytetit “Muharrem Qena” në Mitrovicë, sigurisht se shfaqja, këtu, patjetër e merr një dimension të ri skenik, sidomos në pasurimin që i bëhet atij me idioma teatrore që janë shprehje e Mulliqit si regjisor e, po ashtu, edhe me ndriçimin specifik, skenografinë fleksibile si dhe rekuizitat për më shumë se një përdorim.

Personazhet e Mulliqit, pasqyrë për ta parë të kundërtën e asaj që ata mendonin se janë

 

Ambientimi i shfaqjes së Mulliqit, faktikisht, e linte përshtypjen e një arene lufte, ku karakteret e të dy personazheve, të cilët shqyrtoheshin në këtë vepër, gërryenin kujtesën dhe duke e zbërthyer, ata nxjerrin në pah se kush, në fakt, janë ata. Hapësira skenike në shfaqjen “Katër epoletat”, thuaja boshe, me vetëm disa paketime të zbrazëta prej letre, me shkathtësi na jep fotografinë shpirtërore të personazheve, gjegjësisht të botës së tyre e cila riciklohet në një zbrazëtirë të pafundme. Marrëdhënia midis dy gjeneralëve, Alfadorit dhe Betadorit, ishte sikur njëri-tjetrit, shumë shpesh dhe në shumë raste, i bëheshin pasqyrë për ta parë të kundërtën e asaj që ata mendonin se janë.

Gjithë ndodhia skenike është një dialog i cili mëton të fshehë atë që fuqishëm zien së brendshmi, si dialog nëntekstual të cilin nuk e dëgjojmë, por e ndiejmë dhe e shohim tek atëherë kur fjala të dalë nga lëkura e vet e të bëhet fakt skenik i ndërtuar me një mizanskenë precize që shprehet spontanisht dhe që e jep përmbajtjen e marrëdhënies, të raportit, të dyshimeve apo edhe të dilemave që shpijnë deri në konfliktin absurd i cili nuk i shpëton gjeneralët e Mulliqit, por që ia del që nga ata ta nxjerrë më të keqen e misionit pushtues të jetës së tjetrit. Pronësimi i lirisë si një mundësi e cila ata i ngazëllen, por që, në të njëjtën kohë ata i bënë fajtorë për shkatërrimet dhe degradimin e jetës njerëzore, si dhe shtimin e epoletave në karrierën ushtarake, e cila ndërtohet në dëm të lirisë dhe të mirëqenies njerëzore. Ngritja në karrierë ushtarake që nga Tivari e deri në Mejë është bërë duke shkelur çizmja e gjeneralëve mbi kurrizin e gjakun shqiptar me synime shfarosëse. Kështu, shfaqja del artistikisht e melmesuar përtej kuptimit apo kuptimësimit të kësaj marrëdhënie dhe operon në natyrën e ushtarakut të cilit dhuna i rri në majë të gishtit e fjala i vdes në plumb.

Kur fundi i pashmangshëm u afrohet gjeneralëve të Mulliqit, Alfadorit (Basri Lushtakut) dhe Betadorit (Ismet Azemit), ndërsa vdekja (Grajeti i Adem Zhitopotokut) i thërret, dy të parët, përfundimisht e kuptojnë se u ka humbur fuqia e komandës dhe japin shenja se e kanë kuptuar absurdin e jetës së tyre, të profilit të tyre si ushtarakë që e shkatërruan botën së cilës ata vetë i përkisnin. Jetën.

Interpretimi nga dyshja Ismet Azemi dhe Basri Lushtaku ishte kompozim i mirë si nga ngjashmëria e figurës, aq edhe nga nuancat e timbrit të ndryshëm të zërit dhe të melodisë unike të karakterit që e nxirrnin para spektatorëve me lojën e tyre të veçantë, por harmonike dhe zbërthyese deri në detajet më të imta. Gjithashtu, edhe personazhi i tretë i dramës (vdekja), të cilin e interpreton Adem Zhitopotoku, kompletonte treshen si një pikëtakim i konceptit regjisorial i Mulliqit i cili aktorëve u kishte lënë hapësirë të duhur skenike brenda së cilës dukej se gjithçka po ndodhte spontanisht dhe besueshëm.

E veçanta e premierës

Në pjesën e dytë, kur errësimi i mendjeve të ushtarakëve filloi të ndriçohet, pikërisht atëherë u ndalën dritat, por shfaqja vazhdoi dhe, për çudi, mori një dimension – mësim tjetër. Se si mundet edhe shfaqja teatrore të “sillet konform rrethanave reale”, në këtë rast mungesa e energjisë elektrike, kjo është një pjesë e enigmës që e krijon arti teatror e që nuk mund ta bëjë asnjë art tjetër. Koncepti regjisorial i Mulliqit, i ndërtuar për ta vënë në plan të parë aktorin dhe mishërimin e tij artistik me spektatorin, bënë që ne ta shikonim shfaqjen deri në fund me mjeshtër ndriçimi aktorët Ismet Azemi dhe Basri Lushtaku. Ndriçimi i tillë i dha shfaqjes një pamje tjetër në estetikën vizuale të teatrit, duke e intimizuar marrëdhënien me publikun si një synim i përhershëm i secilës shfaqje të Mulliqit.

Mbase edhe mesazhi, se duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur që të dalim nga errësira, jo duke bërtitur për mungesën, por duke shfrytëzuar dritën e fundit për të ikur nga terri i mendjes ku, nganjëherë, strukemi njëjtë si gjeneralët e Mulliqit, na vjen si një prej mesazheve kryesore të shfaqjes në Teatrin e Qytetit në Mitrovicë. Ndërsa mesazhi kryesor që doli nga kjo ngjarje skenike, e jashtëzakonshme, na preku në pikën e unitetit të munguar midis nesh. Arti si trajnim për durimin aktiv dhe dashurinë si përhershmëri është ai që arrihet në skenat e teatrit. Do të doja që shfaqje të këtilla të ketë sa më shumë në teatrot tona.

Simbolika e urës mbi të cilën synon të kalojë Mitrovica, për ta unifikuar vetveten, sikur na ndodhi neve që ishim të pranishëm në shfaqje, bashkë me spektatorët e tjerë me të cilët e duartrokitëm gjatë shfaqjen “Katër epoletat”, duke përjetuar dy pjesë të shfaqjes me e pa reflektor, por të lidhura sa me temën e trajtuar e me vlerë teatrore si art sublim i së vërtetës. Shkurt, një shfaqje e duhur, në vendin e duhur, pikërisht në Mitrovicë, në Teatrin “Muharrem Qena”.

(Autori është regjisor dhe dramaturg)