Mandati i lashtë i shkrimtarit nuk ka ndryshuar
Kulturë

Mandati i lashtë i shkrimtarit nuk ka ndryshuar

JOHN STEINBECK

Ligjërata e nobelistit të letërsisë, 10 dhjetor 1962

 

Dëshiroj ta falënderoj Akademinë Suedeze për konsideratën e veprës sime meritore për këtë nder më të lartë.

Në zemrën time mund të ketë dyshim nëse e meritoj shpër­blimin e Nobelit kundruall njerëzve të tjerë të letrave të cilët i nderoj dhe respektoj, por nuk ka dyshim për kënaqësinë dhe krenarinë që ndiej që e kam marrë vetë këtë çmim.

Është e zakonshme për fituesin e këtij shpërblimi të bëjë ndonjë koment personal apo studimor mbi natyrën dhe drejti­min e letërsisë. Në kohën e tashme, ndërkaq, mendoj se do të ishte punë me mend që të kemi parasysh detyrat e larta dhe përgjegjësitë e bërësve të letërsisë.

I tillë është prestigji i shpërblimit të Nobelit dhe i këtij vendi ku po qëndroj saqë jam i shtrënguar jo që të angulli si një mi mirënjohës dhe apologjetik, por të ulërij si një luan nga krena­ria e profesionit tim dhe për njerëzit e mëdhenj dhe të mirë që e kanë ushtruar atë ndër shekuj.

Letërsia nuk është shpallur nga ndonjë prift fytyrëzbehur dhe i matufosur kritik nga këndimi i litanive në kisha të zbra­zëta – ajo nuk është as një lojë e parapëlqyer nëpër manastire, nga murgjit mburracakë dhe lyparakë të dëshpërimit barkzbra­zur.

 

Letërsia është e vjetër po aq sa të folurit. Ajo u rrit nga nevoja e njeriut për të dhe nuk ka ndryshuar, pos për t’u bërë edhe më e nevojshme.

Skaldët, bardët, shkrimtarët nuk janë të veçuar dhe eksklu­zivë. Që nga fillimi funksionet e tyre, detyrat e tyre, përgjegjë­sitë e tyre kanë qenë të dekretuara nga specia jonë.

Njerëzimi po kalon nëpër një kohë të hirtë dhe të shkretë të konfuzionit. Pararendësi im i madh, Uilliam Fokner, duke folur nga këtu, e quajti atë tragjedi të frikës universale të mbajtur për aq gjatë saqë nuk kishte më probleme të shpirtit, kështu që dukej sikur e vlente të shkruhej vetëm për zemrën njerëzore në konflikt me vetveten.

Fokneri, më shumë se të tjerët, ishte i vetëdijshëm për forcën njerëzore po aq sa edhe për dobësinë njerëzore. Ai e dinte se kuptimi dhe përmbajtja e frikës janë pjesë e madhe e arsyes së shkrimtarit për të qenë.

Kjo nuk është e re. Mandati i lashtë i shkrimtarit nuk ka ndry­shuar. Ai është i ngarkuar me ekspozimin e shumë rënieve dhe mposhtjeve të rënda, me nxjerrjen në dritë të ëndrrave tona të errëta dhe të rrezikshme me qëllim përmirësimi.

Për më tepër, shkrimtari është i ngarkuar të deklarojë dhe ta kremtojë aftësinë e dëshmuar të njeriut për madhështinë e zemrës dhe të shpirtit – për trimërinë në disfatë – për guximin, dhembshurinë dhe dashurinë. Në luftën e pafund kundër dobësisë dhe dëshpërimit, për këta janë flamuj të ndritur të shpresës dhe rivalitetit.

Mendoj se një shkrimtar që nuk beson me pasion në për­kryerjen e njeriut, nuk ka përkushtim apo çfarëdo përkatësie tjetër në letërsi.

Frika e tashme universale ka qenë rezultat i një hovi tonë të madh përpara në dituri dhe i një manipulimi të faktorëve të caktuar në botën fizike.

Është e vërtetë se faza të tjera të të kuptuarit ende nuk kanë zënë hapin me këtë hov të madh, por s’ka arsye të supozojmë se ato nuk do ta bëjnë këtë dhe nuk do të arrijnë paralelisht. Në të vërtetë, është pjesë e përgjegjësisë së shkrimtarit që të ndihmojnë hapin e tyre.

Me historinë e gjatë krenare të njerëzimit të qëndrimit të palëkundur përballë armiqve natyrorë, nganjëherë i ballafaquar gati me disfatë dhe shuarje, do të ishim qyqarë dhe budallenj po ta lëmë fushën mu në prag të fitores sonë më të madhe të mundshme.

Kuptohet, kam lexuar për jetën e Alfred Nobelit – një njeri i vetmuar, thonë librat, njeri mendimtar. Ai përsosi lirimin e forcave shpërthyese, të afta për të mirën krijuese apo për të keqen shkatërruese, por në mungesë të zgjedhjes, të pasun­duar nga ndërgjegjja apo gjykimi.

Nobeli ishte dëshmitar i disa prej keqpërdorimeve më mizore dhe më të përgjakshme të shpikjeve të tij. Ai edhe mund ta ketë paraparë rezultatin e fundmë të provës së tij – qasjes në dhunën ultimative – drejt shkatërrimit final. Disa thonë se ai u bë cinik, por unë nuk e besoj këtë. Unë mendoj se ai u përpoq të shpikte një kontroll, një piston sigurie. Mendoj se ai e gjeti atë përfundimisht vetëm te mendja njerëzore dhe shpirti njerëzor. Për mua të menduarit e tij pasqyrohet qartë në kategoritë e këtyre shpërblimeve.

Ato jepen për zgjerim dhe vazhdim të diturisë së njeriut dhe të kësaj bote – për mirëkuptim dhe komunikim, që janë fun­ksionet e letërsisë. Dhe ato jepen për demonstrime të aftësisë për paqe – kulmimi i të gjitha të tjerave.

Më pak se pesëdhjetë vjet nga vdekja e tij, dera e natyrës është kyçur dhe ne tani kemi barrën e rëndë të zgjedhjes.

Ne kemi uzurpuar shumë nga fuqitë që njëherë i janë atri­buuar Zotit.

Të frikësuar dhe të papërgatitur, ne kemi marrë zotërimin mbi jetën apo vdekjen e tërë botës – mbi të gjitha gjërat e gjalla.

Rreziku, lavdi dhe zgjedhja qëndrojnë përfundimisht te njeriu. Prova e përkryerjes së tij është para dëshmimit.

Duke përvetësuar fuqitë e Zotit, ne duhet të kërkojmë brenda nesh përgjegjësinë dhe urtësinë që më parë jemi lutur që të ketë ndonjë perëndi.

Vetë njeriu është bërë rreziku ynë më i madh dhe shpresa jonë e vetme.

Kështu që sot, Shën Gjoni Apostull do të mund të para­frazohej kështu: Në fund është Fjala dhe Fjala është Njeriu – dhe Fjala është me Njerëzit.

(Marrë nga numri i 13-të i revistës “Akademia”. Përktheu: Avni Spahiu)

 

 

 


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa