Që në 2017 BIA kishte raportuar se Beogradi nuk i beson Ivanoviqit
Një raport i shërbimit sekret serb BIA, të cilin e kishte botuar RTK, por edhe ato serbe të Serbisë, thuhet se shërbimi sekret dhe vet pushteti në Serbi, “ka besimin më të vogël nga të gjithë politikanët serbë në Kosovë”.
“BIA ka frikë për humbjen e ndikimit në Kosovë”, ishin shumica e titujve të mediave serbe që e transmetonin materialin e RTK-së.
Gjersa Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar në Mitrovicën Veriore pranë zyrave të partisë së tij, raporti i BIA-s, ishte publikuar më 2 qershor të vitit 2017, më shumë se 7 muaj para vrasjes së tij.
Sipas raportit, BIA hedhte dyshime në shumicën e profileve të serbëve të Kosovës, mirëpo, megjithëse nuk përmante shënime të gjera, Ivanoviqin e quajti person në të cilin Beogradi nuk ka besim. Raporti përmbante të dhëna edhe për Slobodan Petroviqin, Nenad Rashiqin, Branimir Stojanoviqin (atëherë kryetar i Listës Srpska), Aleksandar Jabllanoviqin dhe Momçillo Trajkoviqin.
Pak kohë më pas, në tetor të vitit 2017, Oliver Ivanoviqi ishte vënë në thumb të sulmit të mediave të kontrolluara shtetërore. Ai u linçua si një tradhtar i kombit serb dhe bashkëpunëtor edhe i Kosovës edhe i shërbimeve të huaja që veprojnë në Kosovë.
Përndryshe, i biri tashmë të ndjerit Ivanoviq, së fundmi ka deklaruar për mediat serbe se “si është e mundshme që BIA të ketë ditur se Oliveri do të arrestohej nga shqiptarët dhe nuk e paska ditur se do të vritej?”.
Nikolla Ivanoviq, në prag të 4-vjetorit të vrasjes se babait të tij, ka thënë se vrasja “është akt politik”. “Do të duhej diçka drastike të ndryshonte në këtë proces, në mënyrë që të thuhet se kjo dërgon kah ndonjë zgjidhje”, ka deklaruar Nikolla Ivanoviq për mediat serbe.























