22:46 / 15.01.2022
Kosova pëson disfatë nga Belgjika në hendboll
Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka pësuar disfatë nga Belgjika në udhëtim me rezultat 33-29.
Kjo ishte ndeshja e fundit kualifikuese për në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet në vitin e ardhshëm.
Pas një paraqitjeje të dobët në pjesën e parë, "Dardanët" u rikthyen me një lojë të mirë në fraksionin e dytë duke e ngushtuar epërsinë deri në dy gola, por nuk ia dolën që ta mbanin atë ritëm.
Kështu, Kosova e mbyll këtë cikël kualifikues me një humbje zhgënjyese pas asaj fitoreje ndaj Turqisë në mesjavë.
Skuadra e trajnerit Bujar Qerimi mbetet në vendin e katërt me tri pikë në grup. Nga ana tjetër, Belgjika me këtë fitore mban gjallë shpresat për kualifikim tutje por nevojitet fitorja e Greqisë ndaj Turqisë që të realizohet ky objektiv.























