​PDK kundër shtrenjtimit të rrymës: Qeveria po instalon pabarazi
BKT
Lajme

​PDK kundër shtrenjtimit të rrymës: Qeveria po instalon pabarazi

Partia Demokratike e Kosovës është shprehur e shqetësuar në lidhje me propozimet për shtrenjtimin e energjisë elektrike, duke thënë se do të goditen rëndë qytetarët, amvisëritë dhe bizneset.

Madje, partia më e madhe opozitare ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se me subvencionimin e tarifave dhe reduktimet po instalon pabarazi dhe diskriminim.

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, në një konferencë për media u shpreh se kjo rritje do të rëndojë edhe më shumë mirëqenien sociale të qytetarëve dhe pabarazinë sociale, në një kohë kur janë rritur edhe çmimet e produkteve ushqimore.

Stavileci u shpreh se përmes kthimit te blloktarifa po tentohet të stimulohet kursimi, por në të njëjtën kohë kjo rritje po përcillet me një diskriminim të drejtpërdrejtë për konsumatorët të cilët energjinë elektrike e kanë si burim të vetëm të ngrohjes.

Stavileci: Diskriminuese që 30% e konsumatorëve të bartin koston e rritjes të 70% të konsumatorëve të tjerë

“Në qoftë se të hyrat maksimale të lejuara nga 314 milionë euro kanë shkuar në 446 milionë euro, kosto shtesë e sistemit është 132 milionë euro. Nën supozimin se Qeveria subvencionon me 75 milionë euro atëherë kosto shtesë për konsumatorët e goditur është 57 milionë euro apo mesatarisht 285 euro mbi vlerën aktuale të faturës vjetore. Rritja reale totale është 42%, por për shkak të blloktarifave, rritja te konsumatorët 800 dhe 1000 kW/h është 57% dhe 87%. Pra, përsërisim se është tërësisht e padrejtë dhe thellësisht diskriminuese që 30% e konsumatorëve të bartin koston e rritjes të krejt sistemit apo të 70% të konsumatorëve të tjerë. E në fakt kemi të bëjmë me më shumë se 50% nëse llogariten amvisëritë reale ku jetohet dhe punohet çdo ditë e të cilat shpenzojnë më shumë se 600 kW/h në muaj”, deklaroi Stavileci.

Stavileci ka thënë se absurdi më i madh në gjithë këtë konfuzion dhe pasiguri të krijuar nga ana e Qeverisë, është se kjo rritje nuk po ndodhë si rezultat i investimeve të reja në funksion të sigurisë së furnizimit, por si rezultat i zhvendosjes së sigurisë sonë të furnizimit në tregun rajonal të importit.

Stavileci: S’ka transparencë rreth 75 milionëshit

“Pas pak më shumë se një dekade shtet, Qeveria po na kthen me vetëdije të plotë tek subvencionimi i tarifave dhe te reduktimet. Qeveria po instalon pabarazi dhe diskriminim. Sipas planeve të paralajmëruara Qeveria ka premtuar subvencionim të sektorit për periudhën e ardhshme me rreth 75 milionë euro, por nga ana e saj nuk kemi asnjë informacion se cili do të jetë burimi i këtyre mjeteve, pasi që nuk kemi pozicion të tillë të paraparë me buxhetin e vitit 2022, edhe pse periudha në të cilën është draftuar dhe miratuar buxheti ka qenë periudhë e krizës së filluar dhe të paralajmëruar energjetike nga të gjitha qarqet. Po ashtu nuk kemi asnjë transparencë se si dhe cili do të jetë mekanizmi shpërndarës i këtij subvencionimi dhe mekanizmi monitorues i implementimit”, vijoi Stavileci.

PDK ka thënë se nuk ka plan se si do të ndihmohen ndërmarrjet siTrepça, Sharrcemi dhe Ferronikeli, të cilat janë në gjendje të rëndë e ku me mijëra familje punëtorësh rrezikohen për të ardhmen e tyre.

Po ashtu, Stavileci kritikoi Qeverinë e Kosovës për mungesë të ndonjë projekti kapital që do të adresonte nevojën për kapacitetet e reja gjeneruese në periudhën afatmesme edhe përkundër gatishmërisë së agjencive donatore dhe institucioneve financiare ndërkombëtare për të mbështetur Kosovën në këtë aspekt.

Stavileci: Qeveria e paaftë për gjetjen e zgjidhjeve

“Një qasje e tillë e paviziontë, e papërgjegjshme karshi sfidave kaq të mëdha të sektorit, e padrejtë dhe diskriminuese karshi qytetarëve, familjeve dhe bizneseve, e paaftë për gjetjen e zgjidhjeve, po e vështirëson edhe më shumë gjendjen ekonomike, sociale dhe shëndetësore në vendin tonë. Prandaj përsëri i bëjmë thirrje Qeverisë që të tregohet e përgjegjshme, të dëshmojë aftësi dhe kompetencë, e jo padrejtësi dhe diskriminim, që qytetarëve t’u sigurojë energji të mjaftueshme pa ngritje të çmimeve”, përfundoi Stavileci.


MË SHUME NGA Lajme