10 vjet nga fillimi i dialogut për liberalizimin e vizave
Lajme

10 vjet nga fillimi i dialogut për liberalizimin e vizave

Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën për lëvizje të lirë.

Edhe pas 10 vjet prej kur ka filluar dialogu për liberalizimin e vizave, Kosova vazhdon të jetë e izoluar ndonëse Komisioni Evropian vite më parë rekomandoi liberalizimin e vizave pasi shteti ka përmbushur kriteret.

Franca dhe Holanda janë dy vendet skeptike për liberalizimin e vizave, ndërsa Franca nga janari i 2022-së për gjashtë muaj mban presidencën e radhës të BE-së

Në një postim në Facebook, instituti Epik shkruan se më 19 janar 2012, Kosova dhe BE-ja kanë filluar dialogun për liberalizimin e vizave.

“Sot bëhen 10 vite që nga lansimi i dialogut”, thuhet më tej, shkruan Telegrafi.

Në infografikë, EPIK ka krahasuar kohëzgjatjen e procesit të liberalizimit të vizave të Kosovës me vende të tjera të rajonit dhe më gjerë.

Nga infografikë shihet se Kosova është vendi i vetëm që procesi i liberalizimit të ketë zgjatur kaq shumë.

Procesi i liberalizimit të vizave nga fillimi i dialogut për Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën ka zgjatur nga katër vite, për Shqipërinë dhe Bosnjën tri vite.

Ndërkaq, nga dy vite ka zgjatur për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.

Megjithatë, disa nga njohësit e çështjeve të integrimeve evropiane, deklarojnë se Kosova mund të ketë liberalizim të vizave gjatë vitit 2022, pasi Franca ka marrë kryesimin e radhës së Këshillit të Bashkimit Evropian.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare Afrim Hoti, në një deklaratë për Telegrafin kishte thënë se mund të ketë lëvizje pozitive sa i përket vizave gjatë vitit 2022.

“Në kuptimin procedural nuk ka ndonjë diferencë të madhe, sepse sikur Franca edhe vendet e tjera kanë të njëjtin pozicion, udhëheqin presidencën e këshillit. Ndërsa, duke pasur parasysh specifikat që ka prezantuar Franca, deri më tash është e besueshme që mund të ketë lëvizje pozitive në atë drejtim. Sepse Franca dihet që deri tani ka qenë penguese e këtij procesi bashkë me ndonjë vend, jo të ndonjë rëndësie të madhe politike”, është shprehur ai.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa