Reshje të borës dhe ngrica nëpër rrugë, Policia ka një apel për vozitësit
Lajme

Reshje të borës dhe ngrica nëpër rrugë, Policia ka një apel për vozitësit

Policia e Kosovës, pas reshjeve të borës u ka bërë thirrje të gjithë ngasësve të automjeteve që të kenë kujdes gjatë vozitjes.

Në komunikatën e policisë, thuhet se pas reshjeve të borës dhe paraqitjes së ngricave nëpër rrugë, i kërkohet drejtuesve të automjeteve që ngasjen ta përshtatin me kushtet në rrugë.

“Referuar reshjeve të borës dhe paraqitjes së ngricave nëpër rrugë, krijohet vështirësi në trafikun rrugor dhe rrugët potencialisht bëhen më të vështira për ngasje të automjeteve, prandaj Policia e Kosovës vazhdon të kërkoj nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që drejtimin e automjetit ta përshtatin me kushtet në rrugë, të respektojnë shenjat e trafikut rrugor si dhe të jenë shumë vigjilent”, thuhet në komunikatën e policisë.

Sipas policisë, kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik është i domosdoshëm për t’i shmangur aksidentet.

“Policia e Kosovës me njësitet e saj po ndërmerr dhe do të ndërmerr masa ndaj atyre që bien ndesh me ligjin, me të vetmin qëllim reduktimin e aksidenteve dhe krijimin e sigurisë në trafik”, thuhet në komunikatë.