Autori i romanit “Fight Club” reagon pasi filmi u ndryshua në Kinë
Kulturë

Autori i romanit “Fight Club” reagon pasi filmi u ndryshua në Kinë

Autori i librit, “Fight Club”, Chuck Palahniuk, ka reaguar me sarkazëm ndaj vendimit të autoriteteve kineze për ta ndryshuar fundin e filmit që bazohet në romanin e tij.

Në skenat e fundit të origjinalit, Rrëfimtari i luajtur nga Edward Norton-i vret alter-egon e tij, Tyler-in, luajtur nga Brad Pitt-i, dhe i shikon një numër ndërtesash duke eksploduar.

Mirëpo në versionin e realizuar në Kinë, anarkisti përfundon duke u zëvendësuar me një lajmërim që kinse policia e kishte kuptuar planin dhe i kishte arrestuar të gjithë kriminelët duke e parandaluar eksplodimin e bombës, dhe se Tyler-i ishte dërguar për trajtim mendor.

“A e keni parë këtë gjë? Kjo është super mrekulli! Të gjithë përfundojnë të lumtur në Kinë!”, ka shkruar Palahniuk në Twitter duke iu referuar versionit të filmit në Kinë.