Dobruna: Kosova ka të drejtë ta refuzojë Asociacionin
BKT
Lajme

Dobruna: Kosova ka të drejtë ta refuzojë Asociacionin

Ish-ambasadorja e Kosovës në Mbretërinë e Holandës, Vjosa Dobruna, duke analizuar vizitën e të ngarkuarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe të deleguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Kosovë, ka theksuar se kjo vizitë e ka një impuls të vetin për të riinicuar dialogun, derisa është shprehur kundër formimit të Asociacionit.

“Ndoshta ky është momenti i duhur që ky dialog të marrë një hov. Mesazhi është se SHBA-të e mbështesin dialogun dhe janë me një vijë me Bashkimin Evropian. Ky mesazh përmban atë se marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen dhe praktikisht është një kritikë e lehtë dhe një karrotë për palën serbe sepse është fokusuar në një pikë që  është Asociacioni, e të cilin Kosova e ka kundërshtuar fuqishëm. Pra, nëse pala serbe këtë pikë e potencon, e në disa raste edhe e ka kushtëzuar me bisedimet e mëtutjeshme, atëherë me të gjitha parametrat e dialogjeve del se ky është një presion në të cilin vendoset Qeveria e Kosovës për zbatimin e Asociacionit”, ka theksuar Dobruna, në debatin në “RTK Prime”.

Ajo ka thënë se kryeministri Kurti e ka thënë para një kohe fjalën e fundit të parën 'Jo Asociacionit', por sipas saj kur ta shikosh në të vërtet çfarë ka ndodhë del se kryeministri Kurti ka shprehur një qëndrim me të cilin ka ardhur në pushtet, e me të cilin po e përmbush një premtim të cilin ia ka dhënë popullatës, e cila e ka votuar 50 përqind.

Dobruna tutje ka folur edhe për rrezikun që i kanoshet Kosovës me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Një strukturë e tillë me apo pa ingerenca ekzekutive, me historikun se si ka vepruar Serbia pa dyshim do të bjen deri te defunksionalizimi i shtetit të Kosovës. Prandaj, mendimi im që Kosova ka drejtë ta refuzojë formimin e Asociacionit”, ka shtuar Dobruna.

Ajo ka thënë se Serbia me asociacione të tilla e ka nisur edhe procesin në Kroaci, e më pas në Bosnje, që në fund ka rezultuar me krijimin e Republika Srbskas.


MË SHUME NGA Lajme