Dështon miratimi i raportit të shpenzimeve për tetor-dhjetor 2021 të RTK-së
BKT
Lajme

Dështon miratimi i raportit të shpenzimeve për tetor-dhjetor 2021 të RTK-së

Komisioni për Buxhet dhe Financa nuk pati kuorum për miratimin e raportit të shpenzimeve për periudhën tetor-dhjetor 2021 në RTK.

Për shkak të shkurtimit të buxhetit për transmetuesin publik në vlerë mbi 2 milionë euro nuk është planifikuar shlyerja e të gjitha borxheve të vjetra në këtë medium.

Kështu theksoi kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Megjithëse, kryetari Boletini paralajmëroi se borxhet e shkaktuara në RTK në mënyrë abuzive me produksionet e jashtme duke aluduar edhe në serialin “Çka ka shpija”, do t’i adresojnë në institucionet e drejtësisë, derisa ai u zotua se bordi i ri do të bëjë reformë të thellë në RTK.

Në anën tjetër, në këtë komision pati përplasje ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës për projeksionin e skemës programore të transmetuesit publik dhe për menaxhimin e tij.

“Ne shumë shpejt kemi me hapur konkurs dhe kushdo që është i interesuar prej produksioneve të jashtme ka me mundur me aplikuar dhe ka me qenë i barabartë në këtë aspekt. Pra, e gjithë kjo çështje lidhet me punën e borxheve, sepse shumica e këtyre borxheve janë krijuar prej këtyre produksioneve të jashtme. Kështu që forma e kontraktimit të tyre, ne si bord kemi konsideruar që ka qenë abuzuese dhe është shkaktari krijimit të këtyre borxheve, kështu që ne do të kemi kujdes dhe këtë do ta bëjmë vetëm përmes konkurseve publike. Nuk do të ketë marrëveshje në tavolinë që me fillu emisioni të nesërmen. Pra, këto deri tash nuk kanë shkuar përmes konkurseve edhe kur ka pasur një garë. Kjo ka qenë bashkëprodhim i RTK-së, kanë qenë në kontrata për shërbime", theksoi Boletini.

Nënkryetari i Komisionit, Mërgim Lushtaku tha se është shqetësuese mospërfshirja e shlyerjes së borxheve nga RTK.

Sipas tij, kjo mund të krijojë pasoja për RTK-në nga procesi përmbarimor.

Lushtaku: RTK-në mund ta dëmtojnë pastaj përmbaruesit

"Ju mundeni më thënë që nuk i paguajmi me këto mjete borxhet, por ju vjen përmbaruesi dhe ua merr parat në kategorinë që ajo planifikon. Pra, më mirë është me i paguar borxhet, sesa me marrë një tarifë shtesë për përmbaruesin", theksoi ai.

Sa i përket numrit të madh të redaktorëve në RTK, Boletini ka përmendur edhe numrin e redaktorëve dhe gazetarëve në Radio Kosova, ku sipas tij, në këtë radio janë të punësuar 40 redaktorë e 39 gazetarë, ose siç tha ai, numri i përgjithshëm i redaktorëve në RTK arrin në 120, ndërkaq i gazetarëve rreth 100.

Boletini: Redaktorët e shumtë do të dalin edhe në terren

"Ne kemi dyshime që janë bërë në mënyrë jo ligjore sa i përket procedurave të brendshme të RTK-së. Sepse ka avancime që nuk janë nënshkruar prej kryeredaktorit dhe prej drejtorit të televizionit. I kemi kërkuar ushtruesit të detyrës t'i evidentojë të gjitha këto raste dhe nëse ka pasur shkelje të procedurave, ata do të degradohen. Dikush kur avancohet ne nuk mundemi apriori me degradu, por kemi me ju jep punë në terren", tha ai.

Për këtë ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj iu ka dalë në mbështetje kolegëve të tij redaktorë, duke arsyetuar punën e redaktorëve në transmetuesin publik.

"Ndoshta mund të kemi dilema pse kaq shumë, pajtohem edhe vet që janë shumë, por në anën tjetër ajo çfarë është dëshmuar në zgjedhjet e fundit nacionale, shumica e redaktorëve kanë qenë në terren, kanë raportuar. Do të thotë se nuk kemi të bëjmë me refuzim të punës nga ana e tyre ose dembelë. Ajo që realisht kërkohet është njëlloj ristrukturimi i brendshëm", u shpreh Ahmetxhekaj.

Ndërkaq, deputeti nga PDK, Ferat Shala ka kritikuar menaxhmentin dhe bordin e ri të RTK-së, për siç tha ai mospasurimin e skemës programore në këtë kohë të pandemisë.

Shala veçoi mos projektimin e transmetimit ndeshjeve sportive të Kosovës dhe Shqipërisë në eliminatorin e evropianit dhe botërorit.

Shala: Në rrethana të pandemisë, arsimi, kultura, sporti mungojnë në projeksionin e RTK-së

"Me respektin maksimal merruni me të kaluarën, mos u ndalni, por kthehuni të sotmes, por në rrethana të pandemisë, arsimi, kultura, sporti mungojnë në projeksionin e juaj. Është shqetësim për qytetarët, andaj këtu duhet të jenë më të kujdesshëm në projeksion", theksoi ai.

Për çështjen e transmetimit këtë ka dhënë një sqarim kryetari bordit, Boletini, i cili tha se nuk ka para.

"Folëm për borxhe dhe çështja të tjera. Arsyeja pse nuk ka më shumë sport është se s'ka para", tha ai.

Ndërkohë, në këtë Komision në krah bordit dhe menaxmentit të ri të RTK-së,  doli deputeti i VV-së, Enver Haliti, i cili akuzoi pushtetin e kaluar për gjendjen e krijuar në këtë televizion publik.

"Si është gjendja në RTK e dinë të gjithë qytetarët e Kosovës, e dinë edhe kolegu Ferati. E tash nga e njëjta parti që e kanë sjellë RTK-në gati në zhbërje, në zhdukje, e tani me kërku dhe me dhënë ide e vizion se si me u zhvillua RTK, është e mundimshme me u dëgju si kolegë që jemi në komision. Nuk mundemi me kërku prej menaxhmentit dhe bordit sot me bë magji, se s'e kanë shkopin magjik me i zgjidhë të gjitha problemet që janë akumuluar me vite të tëra", deklaroi Haliti.

Pas kësaj deklarate nisi përplasja e ndërmjet kryetarit të Komisionit për Buxhet, Armend Muja, deputetit Ferat Shala e Enver Haliti gjatë raportimit të bordit të RTK-së në këtë Komision, ku nuk iu dha fjala për diskutim këtyre dy deputetëve nga kryetari Muja.

Ndërkohë, Komisioni për Buxhet dhe Financa nuk pati kuorum për miratimin e raportit të shpenzimeve për periudhën tetor-dhjetor 2021 në RTK.


MË SHUME NGA Lajme