Inspektorati Policor nis hetimet ndaj zyrtarëve që arrestuan kameramanin
Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur një hetim preliminar për rastin e arrestimit të kameramanit të agjencisë së lajmeve Ekonomia Online, Albion Selitaj, i cili u arrestua sot në Suharekë derisa po e përcillte një ngjarje.
Në një përgjigje për Ekonomia Online, nga ky institucion kanë thënë se hetuesit do të ndërmarrin veprime hetimore drejt ndriçimit të rrethanave të këtij rasti.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar. Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin veprime hetimore drejt ndriçimit të rrethanave dhe sqarimeve tjera në përputhje me mandatin ligjor dhe në koordinim më prokurorinë kompetente”, kanë deklaruar nga IPK.
Policia e Kosovës ka arrestuar Selitajn, derisa ishte duke mbuluar ngjarjen nga ndërhyrja e AKP-së për të marrë në menaxhim zyrat e ndërrmarrjes AgroKosova Holding.
Sipas gazetares së EO, e cila ishte në vendin e ngjarjes, arrestimi ka ardhur pasi Selitaj ka kërkuar nga Policia që mos ta shtyjnë sepse rrezikohen edhe pajisjet e punës.
“Tash po dal vetë jashtë”, ka thënë Selitaj por që pjesëtarët e Policisë e kanë arrestuar atë.
Selitaj është liruar më pas pas marrjes në pyetje.























