Reagon Sindikata e Policisë: Suspendimi i policëve ishte i padrejtë
Sindikata e Policisë së Kosovës e ka quajtur të padrejtë suspendimin e dy zyrtarëve policorë lidhur me rastin e arrestimit të kameramanit, Albion Selitaj.
I padrejtë sipas sindikatës është edhe inicimi i procedurave të brendshme disiplinore ndaj pesë zyrtarëve të tjerë policorë lidhur me këtë rast.
“Me këtë rast, Sindikata e Policisë së Kosovës, kërkon nga të gjitha organet e hetimeve që të mos ndikohen nga askush dhe as nga mediat për të ulur kredibilitetin e Policisë së Kosovës”, thuhet në reagimin e sindikatës.
Sipas tyre, PK është institucioni i vetëm që bënë sigurinë e të gjithëve dhe “nëse vazhdohet kështu atëherë nuk na mbetet tjetër vetëm të protestojmë kundër padrejtësive që po na bëhen!”.
“Sindikata e Policisë së Kosovës do qëndroj në mbrojtje të të gjithë pjesëtarëve të policisë edhe juridikisht duke monitoruar çdo hetim ndaj tyre!”.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës ka arrestuar kameramanin e Ekonomia Online, ndërsa për këtë arrestim janë suspenduar dy zyrtarë policorë, ndërsa është iniciuar procedurë disiplinore ndaj pesë të tjerëve.























