Takim për Kosovën me tre kongresistë të fuqishëm në New York
BKT
Lajme

Takim për Kosovën me tre kongresistë të fuqishëm në New York

Tre kongresistë të fuqishëm amerikanë premtuan ditën e hënë, në 31 janar, një riangazhim të fortë në ndihmë të Kosovës.

 Ata i bënë deklaratat e tyre gjatë një takimi në Manhattan, me aktivistë të komunitetit shqiptaro- amerikan. Takimi u organizua nga Vehbi Bajrami, botues i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria” dhe Elio Ahmetaj, pronar i restorantit të njohur “Allora”, ku u shtrua edhe darka.

Me rëndësi të veçantë ishte pjesëmarrja e kongresistit Gregory Meeks, që ka zëvendësuar Eliot Engelin në postin e fuqishëm të kryetarit të Komitetit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan.

“Serbia duhet ta njohë Kosovën sa më shpejt”, u shpreh ai.

“Nuk do të rreshtim deri sa të jetë një vend anëtar në OKB”. Carolyn Maloney është kryetare e Komitetit të Mbikqyrjes dhe Reformës në Dhomën e Përfaqësuesve. Ky është një prej tre komiteteve më të fuqishme të Kongresit Amerikan.

Ajo i quajti heronj shqiptarët e Amerikës për punën që kanë bërë në dekadat e fundit për Kosovën. “Prej punës suaj sot ekziston një vend i ri në botë”, tha ajo.

Kongresisti Mondaire Jones që përfaqëson një zonë në New York ku banojnë shumë shqiptarë, ka punuar në Administratën e Presidentit Barack Obama dhe konsiderohet si një nga yjet në ngritje të Partisë Demokrate. Ai tha se po ndihej si mes miqsh të vjetër dhe ishte gati të punonte me komunitetin.

Botuesi i gazetës Vehbi Bajrami u dorëzoi kongresistëve një dokument me 10 kërkesa të komunitetit për politikën e jashtme amerikane ndaj Kosovës dhe rajonit. Ato kërkojnë mbylljen e dialogut me njohjen e Kosovës nga Serbia, rritjen e ndihmës së jashtme për Kosovën, forcimin e ushtrisë së saj, braktisjen e idesë së asamblesë së komunave serbe, barazimin e të drejtave të pakicës shqiptare në Serbi, me atë të serbëve në Kosovë, ndërprerjen e pasivizimit të adresave shqiptare në Luginën e Preshevës, vendosjen e drejtësisë për krimet e luftës, nga përdhunimet te vrazja e vëllezërve Bytyçi, dëmshpërmblimet etj.

“Nuk ka asnjë vend ku Amerika është më popullore sesa në Kosovë”, tha ai, duke shtuar se Kosova duhet të bëhet për Shtetet e Bashkuara një “Izrael në Europës”.

Botuesi i gazetws “Illyria” u propozoi tre kongresistëve që të kryejnë një udhëtim në Kosovë dhe në në rajon për të mësuar më shumë për situatën. Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme, Gregory Meeks i premtoi se vizita do tw kryhej sw shepjti.

Pjesëmarrësit në takim kishin ardhur nga shtete të ndryshme, si figura e njohur e komunitetit, Jim Xhema nga Connecticut, Marash Nucullaj nga Michigan e shumë të tjerë. Merrnin pjesë edhe Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha dhe Ambasadori Frymëzim Isufaj që drejton Konsullatën e Kosovës në New York.

Darkën e drejtoi Christopher Hyland, njeriu që në vitin 1992, prezantoi komunitetin shqiptar me kandidatin e atëhershëm për President, Bill Clinton.

 


MË SHUME NGA Lajme