Kabllorët kundërshtojnë pagesat për të drejtat e autorit
Për të aneksuar të hyrat nga shfrytëzimi i pronës së producentëve, interpretuesve dhe autorëve të veprave vizuale Shoqata për Administrimin Kolektiv të të Drejtave të Autorit dhe të drejtave të përafërta (VAPIK) është detyruar të ngris padi ndaj pesë operatorëve kabllorë të Kosovës, të cilët, sipas VAPIK bëjnë shkelje të të drejtave të autorëve.
Obligimet karshi autorëve
Kështu, IPKO, Artmotion, Kujtesa, Telkos janë katër kompanitë që do të paraqiten në Gjykatë për shkak të pretendimeve të VAPIK, se ata nuk po paguajnë tarifat për veprat e mbrojtura me të drejtën e autorit. Padia është tërhequr ndaj Telekomit të Kosovës, e cila kompani ka filluar kryerjen e obligimeve ligjore, raporton emisioni Udhëve në RTK.
Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 19 tetor 2020, tarifat mujore që operatorët kabllor duhet t’i paguajnë VAPIK janë si në vijim: - Deri në 70 TV kanale – 0.30 euro për abonues, - Nga 71 deri në 100 TV kanale – 0,35 euro për abonues - Nga 101 deri në 150 kanale – 0.40 euro për abonues - Mbi 151 kanale – 0.45 euro për abonues. Por, deri më tani vetëm Telekomi ka filluar kryerjen e obligimeve.
Blerim Gjoci, është kryetar i Bordit të VAPIK-ut, shoqatë kjo për menaxhimin kolektiv e licensuar nga Zyra për të Drejtat e Autorit (ZDA). Ai ka folur për peripecitë që kanë pasur qysh nga tetori i vitit 2020, kur ishin miratuar nga Qeveria e Kosovës tarifat e përgjithshme për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta. Gjykata hedh poshtë padinë e operatorëve Redaksia e emisionit Udhëve, ka siguruar një aktvendim të Gjykatës Themelore, Departamenti për Cështje Administrative ku shihet se edhe kompanitë IPKO, KUJTESA, Artmotion dhe Telkos, kishin bërë padi ndaj Qeverisë së Kosovës, e pikërisht sipas aktvendimit të nxjerrë nga kjo gjykatë ishte refuzuar shtyerja e ekzekutimit të vendimit të qeverisë të datës 19 tetor 2020. Se kishte pasur padi kundrejt Vendimit të Qeverisë e konfirmon edhe avokati i VAPIK, Florin Lata.
“Katër operatorë kabllorë kanë inicu edhe këta një padi – propozim për masë ndaj vendimit të qeverisë, por gjykata themelorë në prishtinë, e ka refuzu propozimin për masë”, tha ai. Kryeshefi i Komisionit të Pavarur të Mediave Faruk Rexhaj, ka thënë se kanë dërguar një shkresë operatorëve në lidhje me obligimet që ata kanë për pagesën e tarifave për autorët.
Në anën tjetër, Ministria e Kulturës e cila ka qenë sponsorisuese e ligjit, nuk ka pasur mekanizma për të detyruar kabllorët që të respektojnë ligjin. Kjo konfirmohet nga u.d.sekretari i kësaj ministrie, Bislim Bislimi. Emisioni Udhëve, ka adresuar pyetje në secilën nga kompanitë që janë paditur nga VAPIK e që janë Ipko, Artmotion, Kujtesa, dhe Telkos. Asnjëra nga kompanitë nuk është përgjigjur.























