Bajrami: Konferenca e paqes në Rambuje, një moment historik për Kosovën
Sot mbushen 23 vjet nga fillimi i Konferencës së Rambujesë, takimit të parë ndërkombëtar, në të cilin shqiptarët e Kosovës si palë e barabartë do të vendosnin për fatin e Kosovës dhe aleancën strategjike me NATO-n dhe partnerët euro- atlantik.
Sipas ftesës së Grupit te Kontaktit, më 5 shkurt 1999, Delegacioni i Kosovës duhej të ishte në Konferencën e Paqes në Rambuje. Mirëpo, pushteti serb nuk garantonte siguri për anëtarët e Delegacionit nga radhët e UÇK-së, ndërsa anëtaret e tjerë të Delegacionit nuk deshën të shkojnë pa anëtarët e UÇK-së, prandaj me angazhimin e faktorit ndërkombëtar u mundësua që komplet delegacioni të arrinte në Rambuje më 6 shkurt
Konferenca u zhvillua në dy etapa: pjesa e parë (6-25 shkurt) në Rambuje, ndërsa pjesa e dytë (14 – 20 mars në Paris).
Nuk ka dilemë se kjo Konferencë paraqet ngjarjen më të rëndësishme të historisë së re politike të Kosovës, që shënoi fillimin e procesit të shtetndërtimit të Kosovës dhe krijimin e aleancës strategjike me perëndimin.
Isha shumë i nderuar që me vendimin konsensual të të gjitha partive politike dhe UÇK- së u caktova si ekspert kryesor juridik i delegacionit të Kosovës dhe që nga fillimi në Rambuje dhe Paris këshillova delegacionin e Kosovës, e në veçanti Kryesuesin e saj Z. Hashim Thaçi që t’ i thotë po kësaj marrëveshje, si një zgjidhje e përkohshme kalimtare drejt pavarësisë së Kosovës. Bashkë me dy juristët ndërkombëtarë: z. Mark Weller dhe Paul Wlliams ofruam konsulencën juridike, përfshirë këtu edhe klauzolën e veçantë për një referendum të mundshëm pas 3 viteve, në të cilin populli i Kosovës do të deklarohej për pavarësi qysh në vitin 2001.
Ngjarjet që pasuan pas Konferencës me bombardimet e NATO-s, luftën e UÇK-së që rezultoi me çlirimin e Kosovës dhe Pavarësia e shpallur dhe njohur ndërkombëtarisht me 7 shkurt 2008 vërtetuan rëndësinë e Konferencës së Rambujesë.























