Kuka: Distria e argjendtë, por me shkëlqim të artë në Paris!
Sot ekipi kosovar i xhudos zhvilloi garat në Grand Prix Paris të Francës.
Atje xhudistja kosovare Distria Krasniqi fitoi medaljen e argjendtë.
Distria Krasniqi arriti sot t’i sjellë Kosovës medaljen e dytë për këtë vit, ku në Grand Prix të Parisit u stolis me medaljen e argjendtë, pasi që u mposht në finale nga xhudistja franceze nënkampione olimpike, Amandine Buchard, kategoria -52 kg.
Në rrugën drejt të argjendtës, Distria në raundin e parë kaloi pa luftë, kurse në raundin e dytë e mposhti francezen Anais Mosdier.
Në çerekfinale, e arta olimpike e mposhti xhudisten nga Britania e Madhe Chelsie Giles, kurse në gjysmëfinale siguroi fitore kundër zviceranes Fabienne Kocher.
Me këtë rast ka reaguar edhe trajneri Driton Kuka, i cili përmes një postimi në Facebook tha se Parisi tash e 10 vjet flet shqip falë kampionëve tonë.























