Berisha: Remonti i bllokut B2 arsyeja reale e krizës energjetike
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha ka thënë se shtrenjtimi i energjisë elektrike në vend ka ardhur si pasojë e keqqeverisjes. Ai, gjatë debatit në emisionin “RTK Prime”, duke komentuar miratimin e tarifave të reja të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka thënë se arsyeja e vërtetë e hyrjes në krizë energjetike është te remonti i bllokut B2 të termocentralit "Kosova B".
“Ne si opozitë ka rreth një vit që çështjen e energjisë e kemi ngritur si temë gjatë qeverisjes Kurti 2. Ne i kemi afruar alternativa qeverisë se si duhet të shpëtohet nga kjo krizë. Duhet ta pranojmë se shkaqet janë brenda menaxhmentit në KEK dhe qeverisë. Griza globale është një nga arsyet, por Kosova bazën energjetike e ka në thëngjill. Ne nuk prodhojmë gaz. Linjën e transmisionit e kemi të pavarur deri 400 kilovat me Shqipërinë. Ne kemi mundur gjatë verës të krijojmë rezerva energjetike bashkë me Shqipërinë, që të kemi tash energji të mjaftueshme. Remonti i B2-shit është arsyeja reale e rënies në krizë”, ka thënë Berisha.
Ai tutje shtoi se Qeveria për të krijuar arsyetim para popullit është thirrur në krizën globale të energjisë. “Çfarë kemi ne lidhje me krizën mes Rusisë e Gjermanisë, apo vendeve tjera që furnizohen nga Rusia me gaz. Kriza e energjisë është ekskluzivisht si pasojë e papërgjegjësisë së Qeverisë. Sikur remontet të ishin kryer me kohë, nuk do të kishim krizë“, ka shtuar Berisha.
Kosova është futur në krizë energjetike, si pasojë e krizës së ngjashme që ka përfshirë Evropën, si pasojë e rritjes së çmimeve të gazit. Ndërkaq, për shkak të vjetërsisë së termocentraleve Kosova nuk mund t’i përballojë e vetme kërkesat për konsum.























