KEDS ende s`ka marrë instruksione nga ZRRE si ta bëjë prerjen e faturave
BKT
Lajme

KEDS ende s`ka marrë instruksione nga ZRRE si ta bëjë prerjen e faturave

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka aprovuar dje bllok tarifat e reja me ndarjen e re cila fillon nga 800 kWh. Siç ka njoftuar ZReE-ja, bllok tarifat e reja do të nisin zbatimin si dhe do të hyjnë në fuqi me datë 9 shkurt 2022 dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023.

Me gjithë deklaratat e ZReE-së se faturimi i tarifave të reja do të fillojë nga data 9 shkurt, inkasantët e KEDS nuk janë parë në teren, tek orët e konsumatorëve për të bërë prerjen e shpenzimeve të vjetra nga 22 janari deri më 9 shkurt. Në KEDS kanë thënë se lidhur më këtë kanë kërkuar një interpretim nga ZReE-ja.

“Lidhur më këtë çështje kemi kërkuar interpretim nga ZRRE, sikurse do të veprojmë konform rregulloreve ne fuqi”, ka thënë zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala, për lajmi.net

Ndërsa Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka thënë se ka ndjekur me shqetësim zhvillimet e fundit në fushën e energjisë, duke kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë që të sqarojë saktë inkasimin.

“Ne jemi të shqetësuar për mundësinë e shkeljes së të drejtave të konsumatorëve përmes faturimit të pasaktë, jotransparent dhe të padrejtë për energjinë e shpenzuar deri me datë 9 shkurt. Për këtë, i bëjmë thirrje ZRRE-së që të sigurohet se ka ndarje të qartë në mes kohës së faturimit me çmimoren e re dhe asaj të vjetër dhe se konsumatorët janë të informuar saktë dhe drejtë mbi këtë proces. INDEP konsideron që ZRRE duhet të sqarojë mirë formën se si do të tarifohen konsumatorët për energjinë e shpenzuar gjatë muajit shkurt. Bazuar në vendimin e tarifave të reja, KESCO do të duhej të kishte nisur llogaritjen e faturave për energjinë e shpenzuar nga data e tarifimit të fund-muajit janar 2022 deri më datën 8 shkurt 2022 sipas tarifave të vjetra. Më pastaj, KESCO do të duhet të tarifonte përsëri konsumatorët për energjinë e shpenzuar tri javët e fundit të muajit shkurt 2022 me tarifat e reja të aprovuara. Ligji për ZRRE-në, neni 49 i jep ZRRE-së kompentencat ligjore të nevojshme që të veprojë për faturimin e energjisë nga kompanitë e licencuara ndaj konsumatorëve”, kanë thënë nga INDEP.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka vendosur dje për tarifat e reja të energjisë elektrike në Kosovë.

Sipas ZRRE-së, rreth 20% e konsumatorëve e tejkalojnë këtë bllok të konsumit tarifor. Ndërsa, 80 për qind e konsumatorëve, sipas tyre, i takojnë bllokut të parë, pra deri në 800kWh. Pra, Bordi i ZRrE-së ka ngritur bllokun për tarifat e reja, nga 600 kWh siç ka qenë e planifikuar në raportin e parë konsultativ të ZRRE-së për shqyrtimin urgjent të tarifave të energjisë, në 800kWh.

Shqyrtimi jashtëzakonshëm i tarifave të energjisë ka ardhur pas shpërfaqjes së krizës energjetike, që në muajin dhjetor 2021, kaploi edhe Kosovën. Ditët e dhjetorit, kosovarët i kaluan me reduktime 2 deri në 4 orë, si pasojë e çmimeve të larta të importit të energjisë në tregjet energjetike të Evropës dhe si pasojë e pamundësisë së termocentraleve kosovare të përballojnë kërkesat në pik, ku shpenzimi i energjisë elektrike kishte arritur kulmin, shkaku i ngrohjes së qytetarëve me rrymë.


MË SHUME NGA Lajme