Paraburgim për të dënuarën me 12 vite burg për trafik droge në Norvegji
Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit në pritje të ekstradimit ndaj të pandehurës SH.T., e kërkuar nga shteti norvegjez përmes INTERPOL-it për ekzekutim të dënimit të plotfuqishëm të shqiptuar nga gjykata e Norvegjisë.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se të njëjtës iu caktua masa e paraburgimit në pritje të realizimit të procedurave të mëtejme të ekstradimit të saj në Norvegj, për ekzekutim të dënimit me burgim.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, pas shqyrtimit të propozimit të prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit në pritje të ekstradimit ndaj të pandehurës SH.T., konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar, meqë njoftimet e Interpolit tregojnë se e pandehura në vitin 2003 është dënuar nga gjykata e shtetit të Norvegjisë me 12 vjet burgim dhe 40 mijë NOK për veprën penale trafikim me lëndë narkotike nga neni 162 par.1 dhe 3 të Kodit Penal Norvegjez dhe e njëjta që nga ajo kohë është arratisur nga Norvegjia me qëllim që t’i shmanget ekzekutimit të dënimit, ashtu që gjykata ka vlerësuar se me gjetjen e saj në liri, mundësia e arratisjes është më se evidente”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Pejë. /RTKlive/























