Osmani: Kurrë s’kam bërë kërkesë për kompensim si deputete
Presidentja Vjosa Osmani gjatë intervistës në RTK ka folur edhe për shpenzimet e udhëtimit kur ajo ka qenë deputete në Kuvendin e Kosovës, duke pasur parasysh se kjo temë është bërë aktuale ditët e fundit.
Ajo tha se kur është regjistruar në mandatin e parë në profilin për uebsajt nuk e ka ditur se ato informata do t'i shërbenin për kompenzim për udhëtim. "Për herë të parë për kompensim kam dëgjuar tash kur u publikuan dokumentet", ka deklaruar Osmani. Ajo tha se në 5 mandate si deputete kurrë s’ka bërë kërkesë për kompensim. Nga 2012, kur është martuar ajo tha se për disa muaj ka jetuar në Prishtinë, por gjatë asaj periudhe ka jetuar edhe në Gjilan dhe ka udhëtuar shpesh në baza ditore. Ajo tha se si kryetare e Kuvendit ka harxhuar shumë më pak se parardhësit e saj, e njëjtë edhe si presidente.
Ajo tha se si presidente ka heq dorë nga shumë privilegje. "Kurrë nuk kam keqpërdor asnjë cent", ka deklaruar Osmani.
Duke folur për reagimet e fundit në raport me media, ajo tha se si presidente ajo dhe famija e saj janë sulmuar vazhdimisht në formë të egër.
Sipas saj sulmet kanë bërë që të cenohet siguria e saj dhe e vajzave të saj. Duke folur për kontekstin e këtyre zhvillimeve ajo tha se shpesh njerëz të caktuar e kanë sulmuar duke i thënë se babai i saj ka bërë gjëra të dëmshme. Ajo tha se për të gjitha ka fituar rastet në komisionin për media, por asnjëherë s’ka pas kërkim falje.
"Mediat e dine se kurrë nuk kanë pasur e nuk do të kenë aleate më të madhe se Vjosa Osmanin", deklaroi presidentja.
Ajo tha se bashkëshorti i saj ka bërë sqarim për shkrimin e parë, por sipas saj edhe ky është keqkuptuar. Osmani tha se burri i saj asnjëherë s’ka thënë që mediat janë ndërmarrje e përbashkët kriminale. Duke folur për reagimet e AGK-së dhe Federatës evropiane të gazetarëve, ajo tha se bashkëshorti i saj s’ka bërë asgjë më shumë sesa luftimin e dezinformatës.
"Mos i lexoni interpretimet, por tekstin origjinal se çfarë është shkruar", ka thënë Osmani.























