Indeksi i Demokracisë “Economist”: Bieber çuditet që Kosova s`përfshihet
Drejtori i Qendrës për studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Graz në Austri, Florian Bieber, përmes një postimi në Twitter, ka kritikuar Indeksin e Demokracisë për vitin 2021 të publikuar nga Njësia e Inteligjencës së revistës prestigjioze “The Economist”.
Ai i referohet këtij indeksi si “Indeks i çuditshëm i demokracisë”.
Bieber është çuditur nga fakti se si Kosova nuk është përfshirë në këtë listë, ndërsa ka pyetur se në çka është bazuar indeksi në fjalë kur e ka renditur Serbinë si shtetin më të mirë sa i përket vlerave demokratike në Ballkanin Perëndimor, përcjell AlbanianPost.
“Indeksi i çuditshëm i demokracisë. The Economist Ende injoron Kosovën dhe e rendit Serbinë më mirë sesa Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut në aspektin e procesit zgjedhor dhe pluralizmit. Pse nuk përfshihet Kosova dhe cila është baza për t'a renditur Serbinë më të mirën në Ballkanin Perëndimor sa i përket demokracisë? Nuk përputhet me indekset e tjera dhe realitetin”, ka shkruar Bieber në Twitter.
























