Ambasadori Ajeti sqaron çështjen e konvertimit të patentë shoferëve
Sot Bundesrati gjerman votoi me shumicë votash pro nënshkrimit të marrëveshjes së njohjes së patentë shoferëve të Republikës së Kosovës.
Ambasadori i Kosovës në Gjermani Faruk Ajeti, ka bërë me dije se kjo marrëveshje e cila sot u votua në Bundesratin gjerman do të hyjë në fuqi pas dy javëve, kur të botohet në gazetën zyrtare të Gjermanisë.
“Pas dy jave qytetarët e Kosovës që jetojnë prej vitesh në Gjermani kanë të drejtë t’u drejtohen organeve përkatëse dhe institucioneve gjermane për konvertimin e patentë shoferëve kosovarë”, tha ambasadori Ajeti në një lidhje direkte në lajmet qendrore të RTK-së.
Ai tutje sqaroi dy elemente të rëndësishme për konvertimin patentë shoferëve kosovarë për mërgimtarët që jetojnë në Republikën Federale të Gjermanisë.
“Të gjithë patentat që janë lëshuar prej datës 1 mars 2018, do të konvertohen pa asnjë procedurë shtesë, ndërsa për poseduesit e patentave që janë lëshuara para datës 1 mars 2018, duhet të paraqiten tek organet e landeve, pastaj ato përmes rrugëve institucionale pyesin palën kosovare për validitetin e patentës për konvertim”, tha ai.
Sipas tij kjo rregullore do të vlejë për shtetasit kosovarë që kanë një vendbanim në Gjermani dhe të cilët e kanë marrë patenshoferin kosovar para së të vinin në Gjermani, ndërsa ata qytetarë të Kosovës që kanë ardhur në Gjermani pa patentshofer dhe që e kanë të rregulluar qëndrimin në Gjermani nuk mund të marrin patentshoferin e Kosovës dhe ta konvertojnë në Gjermani./RTKlive/























