ATK me aplikacion për mbrojtjen e punëtorëve
Ekonomia në të zezë është ndër shqetësimet më të mëdha për punëtorët e sektorit privat. Shumica e këtyre punëtorëve ballafaqohen me një mori shkeljesh nga ana e punëdhënësve, duke punuar pa kontrata e pa kontribute në skemën pensionale.
Administrata Tatimore e Kosovës së fundmi ka lansuar një aplikacion i cili u mundëson punëtorëve të verifikojnë se a janë të paraqitur si punëtorë në ATK.
“Përveç verifikimeve në terren që bëhen nga ana e zyrtarëve, kemi zhvilluar edhe një aplikacion elektronik përmes së cilit secili qytetar që është i punësuar diku, mund të verifikojë ose vërtetoi nëse punëdhënësi i tij e ka formalizuar atë si punëtor të kompanisë së tyre në ATK, dhe në momentin që verifikon që punëdhënësi nuk e ka formalizuar ka mundësinë e denoncimit”, ka theksuar Ilir Murtezaj nga ATK.
Për këtë periudhë të shkurtër kohore, prejse është lansuar aplikacioni, rreth 200 punëtorë kanë denoncuar punëdhënësit në ATK. Masat ndëshkuese për ato kompani janë gjobat nga 125 deri në 1 mijë euro, varësisht prej biznesit.
Kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se punëtorët nuk kanë guxim të denoncojnë kompaninë, por që numri i tyre është shumë i lartë sepse janë rreth 60 mijë biznese aktive.
“Vazhdimësia e punëtorëve pa kontrata pune është e njëjta që ka qenë më herët, edhe përkundër shumë thirrjeve që ka bërë qeveria edhe ministritë e ndryshme, numri nuk ndryshon, as nuk rritet as nuk zvogëlohet”, ka deklaruar Jusuf Azemi. ATK ka siguruar të gjithë qytetarët për ruajtjen e privatësinë dhe të dhënave nga ana e saj gjatë denoncimit të shkeljeve nga ana e punëdhënësve.























