Sahiti: Universiteti i Prishtinës tani ka rreth 40 mijë studentë
Sot shënohet 52-vjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Universiteti i Prishtinës është universiteti më i madh në Kosovë dhe njëri nga më të mëdhenjtë në rajon.
Naser Sahiti, rektor i Universitetit të Prishtinës, tha se UP për këto vite ka arritur shumë.
“Nëse shikohet historia që ka kaluar UP-ja, është vështirë të gjendet ndonjë universitet që ka kaluar nëpër periudha të njëjta”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit "Mirëmëngjesi Kosovë", në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Ai ka folur për historikun e UP-së, duke vlerësuar se institucioni më i madh publik në vend i arsimit të lartë ka pasur shumë sfida.
“Megjithë sfidat që i ka pasur universiteti, UP-ja ka arritur në jetë njëri në më të mirët në hapësirat shqiptare në renditjet ndërkombëtare", tha ai.
Sahiti bëri me dije se po përpiqen që programet e UP-së të jenë më nevojat e tregut të punës për Kosovë. “Universiteti i Prishtinës tani ka rreth 40 mijë studentë, më parë kemi shkuar deri në 60 mijë studentë”, tha ai.
Ndryshe UP është anëtar i Shoqatës së Universiteteve Evropiane dhe ka bashkëpunim me universitete dhe institucione perëndimore evropiane dhe amerikane.
UP u themelua me Ligjin mbi themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969. Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte një ngjarje historike për popullin e Kosovës dhe sidomos për kombin shqiptar.
Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë , më 15 shkurt 1970 u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe data e 15 shkurtit u shpall Ditë e Universitetit të Prishtinës.(RTKlive)























