Draftligjin i pagave në sektorin publik, Hoti: Ka disa anomali
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka kritikuar draftligjin e pagave në sektorin publik, i duke thënë se një gjë e tillë përbën anomalinë më të madhe në reformën e sektorit publik.
Hoti në postimin e tij në Facebook, ka potencuar se kjo qasje në përcaktimin e koeficientit e shkel parimin bazë të përcaktimit të pagave.
“Parimet e tjera të hierarkisë sa i përket përgjegjësive shkelen gjithashtu”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka renditur disa nga anomalitë e këtij draftligji.
Sipas tij pozitat si roje, kopshtar, shtëpiak e disa të tjerë në Presidencë, kryeministri dhe institucione të tjera kanë koeficientin, 3.2 e që është për 60 përqind më i lartë sesa për kadetin policor dhe kadetin e FSK-së.
“Shefi i kabinetit të ministrit e ka koeficientin 10.8, ndërsa drejtori i SHSKUK-së 10.6. Kadeti policor dhe kadeti i FSK-së e kanë koeficientin 2, që është koeficienti më i ulët në tërë sektorin publik”.
“Kopshtari, shtëpiaku, mirëmbajtësi, auto-larësi, rrobalarësi dhe pozitat e ngjashme në Presidencë e kanë koeficientin 3.2, por të njëjtat në Kryeministri e kanë koeficientin 3.1, në gjykata 3, në ministri 2.94 dhe në komuna 2”, ka shkruar Hoti.























