Ambasadori amerikan i rikonfirmon Haradinajt përkrahjen amerikane
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë Ramush Haradinaj, ka takuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier.
Haradinaj tha se ndjehet i lumtur që ShBA-të mbështesin Kosovën në procesin e dialogut, që do të përfundojë me njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
Haradinaj tutje tha se ky qëndrim sot u konfirmua edhe nga ambasadori Hovenier.
“I lumtur që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin Kosovën në një proces dialogu që do të përfundojë me njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë, duke mos cenuar integritetin, sovranitetin dhe kushtetutshmërinë.
“Ky qëndrim më është rikonfirmuar edhe nga Shkëlqesia e tij, ambasadori Jeffrey M Hovenier, të cilin kisha kënaqësinë ta pres sot në Selinë e Aleancës.
“Ambasadorit Hovenier i urova mirëseardhjen dhe shumë sukses në detyrën e tij në Republikën e Kosovës dhe u dakorduam për thellimin e bashkëpunimit dhe miqësisë mes dy vendeve”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.























