Osmani: Procesi i dialogut me Serbinë do të përfundojë me njohje reciproke
Në seancë solemne për nder të 14-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani theksoi se në këtë sallë 14 vjet më parë Kosova u shpall shtet, duke jetësuar kështu vullnetin e qytetarëve tanë për të jetuar në një vend sovran e të pavarur.
Në seancën solemne, presidentja Osmani duke përmendur kontributin e rezistencës paqësore të presidentit Ibrahim Rugova, tha se secila luftë i ka edhe heronjtë e vet dhe liria jonë e njeh komandantin tonë legjendar Adem Jashari.
“Ishte rezistenca e popullit tonë që trasojë hapat e luftës sonë për liri e për shtet. Nën udhëheqjen e atit tonë themeltar, presidentit Ibrahim Rugova, Kosova në atë kohë i bëri të ditur botës demokratike se synim i saj ishte pavarësia e vendit si një parakusht për paqe e për stabilitet në rajon. Çlirimi nga robëria nuk ishte drama jonë kombëtare me një akt, prandaj për aq sa u rrit shtypja ndaj nesh, me të njëjtin ritëm nisi të transformohet rezistenca jonë paqësore në rezistencë të armatosur. Vajza e djemë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u bën gardian të atdheut, duke vendosur përmbushjen e idealit për liri për lirinë e vendit si aktin më sipëror për Republikën tonë. Secila luftë i ka heronjtë e vet, e liria jonë e njeh komandantin Adem Jashari, komandantin tonë legjendar, bashkë me familjen tij, si udhëheqës të kësaj lufte të cilët u flijuan për këtë liri që e gëzojmë sot. Ne do ta nderojmë përjetësisht figurën e komandantit Adem Jashari, por edhe të mijëra dëshmorëve të luftës sonë çlirimtar, të cilët i dhanë hovë përpjekjes tonë për çlirim deri në lirinë tonë përfundimtare”, theksoi ajo.
Jemi këtu sot jo vetëm falë angazhimit e sakrificës sonë, por edhe se patëm ndihmën e miqve tanë. Bota demokratike nuk heshti asnjëherë para vuajtjeve të popullit tonë.
Presidentja e vendit, Osmani ka thënë se sot këtu jemi sepse ishin edhe miqtë ndërkombëtarë, ku shtetet mike u vunë në anën e lirisë dhe pavarësisë.
Me këtë rast, Osmani foli edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, që sipas saj, do të përfundojë me njohjen reciproke.
“Sot Kosova, rajoni, por edhe gjithë globi po përballet me rreziqe të shkaktuara nga kursi agresiv i Rusisë. Tendencat destabilizuese të saj nëpërmjet përdorimit të aleatit të saj tradicional të Serbisë synojnë të shkaktojnë destabilizim edhe në rajonin e Ballkanit. Përpjekjet tilla i dënojmë fuqishëm siç edhe dënojmë edhe kërcënimin e hapur dhe tendencën për pushtimin e Ukrainës nga Rusia... Kosova fuqishëm qëndron me aleatët e saj dhe qëndron në anën e demokracisë, e vlera e demokracisë më së shumti shihet si ditë si kjo më 17 shkurt. Kosova sot nuk është as ajo e qershorit ’99 e as ajo e 17 shkurtit 2008. Megjithatë liria jonë ende nuk është përmbushur, sepse sot i kujtojmë edhe 1600 të zhdukur me dhunë, zbardhjen e fatit të cilëve po e mban peng Serbia. Por, një është e sigurt që nuk do të pushojmë as një qastë derisa familjet e tyre të gjejnë qetësinë. Procesi i dialogut me Serbinë, natyrisht që do të përfundoj me njohjen reciproke siç edhe e përsëriti prapë presidenti Biden. Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që ky proces t’i shkaktojë përçarje shtetit tonë e rrjedhimisht nuk do të pranojmë asnjë opsion që synon defunskionalizmin e shtetit tonë. Tërësia territoriale e vendit tonë, sovraniteti e rendi ynë kushtetues janë të panegociushme dhe të shenjta”, theksoi ajo.























