Kreu i PDK-së viziton familjet e Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Sejdiut
BKT
Lajme

Kreu i PDK-së viziton familjet e Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Sejdiut

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka vizituar familjen e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli si dhe ish-presidentit Fatmir Sejdiu, për të cilët ka thënë se janë pjesë e pledajës së papërsëritshme të burrështetasve vizionarë dhe pjesë e historisë së lavdishme të rrugës sonë drejt çlirimit dhe pavarësisë.

Përmes një njoftimi në Facebook Krasniqi ka thënë se Thaçi, Krasniqi dhe Veseli po vazhdojnë të paguajnë çmimin e lirisë, porse sipas tij, ky kapitull, veçse do e forcojë edhe më shumë historinë e kauzës së drejtë.

“Ata sot po vazhdojnë të paguajnë çmimin e lirisë, por ky kapitull, veçse do e forcojë edhe më shumë historinë e kauzës sonë të drejtë, të luftës çlirimtare, të cilën histori s’mund ta mohojë, as ta tjetërsojë e as ta ndryshojë askush dhe me asgjë”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se në konsideratë të Ditës së Pavarësisë, ka vizituar edhe ish-presidentin Fatmir Sejdiu.

“Bashkë iu rikthyem atyre momenteve të veçanta që kanë shënuar rrugën tonë drejt themelimit të shtetit, me vlerësimet me të larta për atë periudhë sfiduese, por të veçantë historike. Hashim Thaçi, Fatmir Sejdiu dhe Jakup Krasniqi kanë qenë në krye të institucioneve që e kanë shpallë Kosovën shtet të pavarur e sovran dhe këtë histori e kontribut të tyre nuk mund ta ndryshojë askush - as komplekset e inferioritetit dhe injoranca e atyre që sot janë në pozicionet që këta burrështetas i kanë pasur dikur”, ka shkruar ai.

Ai ka shtuar se Kosova si shtet i pavarur e ka përmbushur të drejtën historike, por sipas tij, puna për forcimin e shtetit, ekonomisë, mirëqenies dhe bazës së qëndrueshme për të ardhme prosperuese, vazhdon të mbetet një detyrë e përhershme e gjithsecilit.

“Republika e Kosovës është produkt i të drejtës së popullit tonë për liri e pavarësi, të cilën të drejtë, populli ynë e ka fituar me kontributin e madh të shumë burrave e grave ndër breza, e cila kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjakun e martirëve e dëshmorëve të kombit, shembulli sublim i të cilës manifestohet me Komandantin Adem Jashari dhe sakrificën titanike të familjes së tij”, ka thënë ai. 


MË SHUME NGA Lajme