Shtrenjtimi i inputeve bujqësore rrezikon ngritjen e çmimeve
Pajtim Çuni
Çmimet e inputeve bujqësore kanë shënuar rritje të madhe këtë vit. Shtrenjtimi më i madh vërehet te plehrat artificiale, çmimi i të cilave ka shënuar rritje për mbi 200 për qind, krahas vitit të kaluar. Kjo ngritje do të ndikojë në uljen e mbjelljeve, rënien e rendimenteve dhe shtrenjtimin e produkteve bujqësore, vlerësojnë ekspertë të bujqësisë.
Për tejkalimin e situatës, që thonë se është e rëndë, përfaqësues të bujqve kërkojnë përkrahje nga Ministria e Bujqësisë.
Përveç ngritjes së çmimit të naftës, energjisë elektrike dhe shumë produkteve tjera, në Kosovë, ngritje kanë pësuar edhe çmimet e inputeve bujqësore, si farërat, plehrat e pesticidet. Çmimi i plehrave artificiale është rritur për më shumë se 200 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Pronari i një barnatoreje bujqësore në Ferizaj, të cilën e vizitoi Radio Kosova, tregoi se për plehërimin e një hektari me grurë, për çka duhen 300 kilogramë pleh, bujqit duhet të ndajnë 300 euro nëse plehërimin e bëjnë me NPK tri herë 15, ndërsa nëse plehërimi bëhet me KAN, çmimi do të jetë 100 euro më lirë.
Përveç fermerëve, i shqetësuar me ngritjen e këtyre çmimeve është edhe kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, i cili thotë se situata është mjaft delikate.
“Ngritja e çmimeve të imputove bujqësore ka krijuar situatë shumë të pafavorshme dhe të pa perspektivë për bujqësinë e Kosovës. Kemi ankesa të shumta nga bujqit, të cilët kërkojnë që të intervenojmë tek institucionet tona që t’i dalin në ndihmë, përndryshe ata do të kenë dëme të mëdha e mund edhe të falimentojnë”, tha ai.
Për këto shqetësime, Tahiri thotë se kanë zhvilluar takim në Ministrinë e Bujqësisë, ku kanë kërkuar uljen e çmimit të naftës dhe plehrave.
Edhe profesori universitar i bujqësisë, Imer Rusinovci, pohon se në situatën e krijuar, është e nevojshme përkrahja e fermerëve nga Ministria e Bujqësisë, në të kundërtën, sipas tij, pasojat do të jenë të rënda.
“Për pasojë, pjesa dërmuese e fermerëve do të jenë në situata të rënda, sepse kostoja e prodhimit të tyre do të rritet shumë. Nuk e kam idenë se sa do të dalë çmimi i grurit në fund të periudhës së korrje-shirjeve, por jam shumë i sigurt se do të përballemi me çmime astronomike të bukës. Nuk do të shkojë periudhë shumë e gjatë për këtë, dhe kjo do të jetë e papërballueshme për pjesën më të madhe të popullatës”, tha ai.
Profesor Rusinovci thotë se përkrahja e fermerëve është e domosdoshme, në të kundërtën, rendimente e grurit dhe produkteve të tjera bujqësore do të ulen, e çmimet ashtu sikurse edhe importi do të rriten. Pas vështirësive më të cilat po ballafaqohen bujqit, Radio Kosova ka pyetur Ministrinë e Bujqësisë nëse planifikon të bëjë subvencionimin e naftës për bujqit dhe largimin e TVSH-së për plehrat artificiale, por, për ditë të tëra, deri në përgatitjen e këtij materiali nuk ka marrë përgjigje.























