Kurti takohet me deputetin Nouripour, bashkëdrejtues i Partisë së Gjelbër
BKT
Lajme

Kurti takohet me deputetin Nouripour, bashkëdrejtues i Partisë së Gjelbër

Kryeministri Albin Kurti është takuar për herë të parë me bashkëdrejtuesin e Partisë së Gjelbër gjermane, deputetin Omid Nouripour.

Siç bëhet e ditur nga Zyra për Informim e Kryeministrisë, Kurti e uroi deputetin Nouripour për suksesin e Partisë së Gjelbër në zgjedhjet e fundit parlamentare në Gjermani, detyrën e tij të re edhe për përfshirjen e tyre në qeverinë e re. Ai u dëshiroi suksese në përmbushjen e prioriteteve të qeverisë dhe rikonfirmoi gatishmërinë e plotë për të punuar ngushtë si dy qeveri progresiste.

“Gjatë takimit, z. Nouripour u njoftua me progresin e bërë gjatë vitit të parë të qeverisjes, për rritjen ekonomike, reformat progresiste, luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe për qasjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj agjendës së Gjelbër. Kryeministri Kurti tha synim i qeverisë që ai drejton është që ringjalljen ekonomike ta trajtojë si mundësi për t’u fokusuar drejt ekonomisë së gjelbër dhe miqësore ndaj mjedisit. Gjatë takimit u diskutua edhe për format e bashkëpunimit pikërisht në fushën e mjedisit dhe energjisë. Kujtojmë se objektivat e Strategjisë së re Kombëtare për Energji, e cila është duke u hartuar, do të jenë drejt energjisë së pastër dhe dekarbonizimi”, thuhet në komunikatë.

Më tej, kryeministri Kurti tha se mirëpret vëmendjen e shtuar të Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor.

Në anën tjetër, Nouripour thuhet se e falënderoi për urimet, shprehu vullnetin për bashkëpunim të hapur në fushat me interes të përbashkët dhe ofroi ndihmën e tij për Kosovën.

Në këtë takim, Kurti është shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.


MË SHUME NGA Lajme