Qeveria nuk deklarohet nëse nesër diskutohet për zgjedhjet serbe në Kosovë
BKT
Lajme

Qeveria nuk deklarohet nëse nesër diskutohet për zgjedhjet serbe në Kosovë

Drejtori i të Ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha për RTS, se në Bruksel të martën e 22 shkurtit do të bisedohet për zgjedhjet e tre prillit që do të mbahen në Serbi.

Petkoviq tha që do të insistojnë që ato të mbahen edhe në Kosovë.

“Të flasim për të pagjeturit, për gjyqësorin, por edhe për zgjedhjet e 3 prillit, sepse ato duhet të mbahen edhe në Kosovë”, tha Petkoviq.

Megjithatë, askush nga zyrtarët për informim të Qeverisë nuk kanë dalë me ndonjë deklaratë rreth çështjes.

Pas tri muaj e gjysmë bllokade të dialogut, të martën takohen kryenegociatorët e të dyja palëve në Bruksel, në dialogun e ndërmjetësuar nga diplomati sllovak, Miroslav Lajçak.

Ndryshe institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë mbajtën e zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë, pasi në janar nuk e ka lejuar zhvillimin e një Referendumi të Serbisë, për çështje të gjyqësorit, në territorin e saj.

Këtë Referendum e ndaloi Kuvendi e Kosovës me anë të një Rezolute, ku njëzëri me opozitën u rreshtuan kundër.

Një referendum të tillë aktorët kryesorë politikë të Kosovës e konsideruan antikushtetues dhe shkelje të sovranitetit të vendit.

Megjithatë, ishin ambasadorët e QUINT-it që kërkuan të lejohet votimi i serbëve të Kosovës në referendumin e 16 janarit dhe votat të mblidhen nga OSBE-ja, por që Kosova nuk kishte pranuar një gjë të tillë.


MË SHUME NGA Lajme