Kryenegociatorët i rikthehen sot dialogut në Bruksel
Në Bruksel do të mbahet takimi i radhës ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe homologut të tij serb, Petar Petkoviq. Pas tre muajsh ngërç, në takim e sotëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, i pari për këtë vit, pritet të diskutohet për të pagjeturit dhe për arritjen e marrëveshjes së përhershme për targat.
Megjithatë, ujdia për të njëjtat shihet si vështirë e arritshme në momentumin aktual ndërkombëtar dhe në prag të zgjedhjeve në Serbi.
E njohësi i procesit të dialogut, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka thënë dje për media, se rikthimi në tavolinën e bisedimeve të kryenegociatorëve është aspekt pozitiv për avancimin e dialogut.
Lidhur me takimin e sotëm, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, dje, kanë folur edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahirin dhe shefi eiGrupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahirin.
Tahiri kritikoi Qeverinë Kurti për mos transparencë në raport me dialogun dhe tha se çfarëdo draft-marrëveshje që mund të nënshkruhet së pari duhet të vijë në Kuvend.
Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se për dialogun me Serbinë, pala kosovare duhet të diskutojë vetëm për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.
Burimet e Bashkimit Evropian, raporton REL, kanë konfirmuar takimet duke i përshkruar si “takime në kuadër të dialogut”, sepse nga përvoja e së kaluarës është parë se palët shpesh nuk janë takuar fare, por vetëm kanë pasur takime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak.
Megjithatë, më 22 shkurt ka plane për zhvillim të një takimi të përbashkët. Takimin e parë me Lajçakun pritet ta ketë, Besnik Bislimi, zëvëndëskryeministër i Kosovës.
Më pas takim të njëjtë do të ketë shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq.
Në orët e pasdites pritet të zhvillohet takimi i përbashkët me ndërmjetësim të Lajçakut.
Takimi i fundit në nivel të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi ka qenë më 16 nëntor të vitit 2021.























