Abazi: Institucionet e sigurisë të monitorojnë situatën
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka kërkuar mbledhjen e institucioneve të sigurisë për të monitoruar situatën që mund të ballafaqohet Kosova, pas ndërhyrjes së mundshme ruse në Ukrainë.
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi tha se efektet e para të krizës në Ukrainë janë vërejtur në Kosovë dhe rajon. Këto deklarata ai i bëri në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës.
“Efektet e para janë vërejtur edhe në Kosovë dhe rajon, çmimet janë ngritur pasi jemi të varur nga importi dhe kapacitet tona prodhuese janë në minimum. Rrjedhimisht në këtë situatë kërkohet solidaritet i plotë dhe bashkëveprim i të gjithë neve këtu në parlament, por edhe shoqërinë tonë. Po ashtu, edhe koordinim i plotë me NATO-n dhe aleatët tanë perëndimorë. Në anën tjetër, duke pasur një fqinj si Serbia që përdor taktikat e njëjta të kërcënimit të integritetit territorial dhe kopjon metodën e Rusisë është urgjente që institucionet tona të sigurisë të mblidhen dhe të monitorojnë me kujdes situatën me të cilën po ballafaqohemi. Kërkesa ime është që në këtë situatë delikate ku ne bëjmë historinë ndonjëherë edhe pa e ditur se po e bëjmë që të jemi të bashkuar përballë një krizë që mund të prek gjithë neve dhe rajonin. Jemi me fat që jemi bashkë me aleatët perëndimor në ballafaqimin me këtë sfidë”, tha ai.























