Haxhiu: Serbët e Kosovës mund të votojnë me postë dhe në zyrën ndërlidhëse
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk ka ndryshuar asgjë në lidhje me votimin e mundshëm të serbëve të Kosovës për zgjedhjet e 3 prillit në Serbi.
Ajo ka thënë se qytetarët me dyshtetësi do të mund të votojnë përmes postës apo zyrës ndërlidhëse dhe se nuk ka asnjë ndryshim në lidhje me këtë çështje.
Haxhiu ka thënë se Serbisë nuk i bëhet vonë për të drejtën e qytetarëve por që e njëjta ka pretendime territoriale ndaj Republikës se Kosovës.
"Të gjithë jemi në dijeni se Serbia i ka pretendimet e saj për të mbajtur zgjedhjet e saj në Kosovë jo pse kërkon që një e drejtë e qytetarëve të tyre të adresohet, mirëpo sepse ka pretendime territoriale ndaj Kosovës. Serbisë s’i bëhet vonë për të drejtat e qytetarëve, por përmes atij veprimi do që të jetë në linjë me Kushtetutën e saj”, në një konferencë për media pas mbledhjes së sotme të Qeverisë.
Ministrja e Drejtësisë ka kujtuar rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës ku është ndaluar organizimi i referendumit të Serbisë brenda territorit të Kosovës.
"Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës e kanë nxjerrë një rezolutë ku e kanë ndaluar mbajtjejn e referendumit kushtetues më 16 janar. Konsiderojmë që është jashtëzakonisht e rëndësishme që të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, por edhe legjislacioni në fuqi. Edhe rezoluta e Kuvendit dhe qëndrimet e Qeverisë janë në linjë të njëjtë dhe po ashtu këtë qëndrim e ka edhe presidentja e vendit. Qytetarëve të cilët kanë dy nënshtetësi duhet t’iu ofrojmë zgjidhje dhe ne zgjidhjen e kemi dhënë – të votohet në zyrën ndërlidhëse në Kosovë apo me postë. Këto janë dy propozimet që ne i kemi thënë edhe publikisht dhe nuk ka diçka tjetër në këtë drejtim”, ka shtuar Haxhiu.























