Mahmuti: Alarmante përpjekja e rishkrimit të historisë së Kosovës në Hagë!
BKT
Lajme

Mahmuti: Alarmante përpjekja e rishkrimit të historisë së Kosovës në Hagë!

Në edicionin e sontëm të emisionit “RTK Prime” u diskutua rreth zhvillimeve të fundit në Gjykatën Speciale në Hagë. 

Të martën u mbajt seanca statutore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, e cila kaloi me polemika dhe akuza të shumta midis mbrojtjes dhe prokurorisë. Pala mbrojtëse po akuzon dhe kritikon prokurorinë se po fsheh prova dhe po bën diskriminime në këtë rast.

Të ftuar sonte në panelin e emisionit ishin: Taulant Hodaj, avokat; Faton Klinaku, u.d nga OVL-UÇK; Artan Behrami, gazetar dhe ish-këshilltar politik i ish-Presidentit Thaçi dhe në lidhje direkte nga Zvicrra, Bardhyl Mahmuti, ish-udhëheqës politik i UÇK-së.

Diskutimi në studio filloi me z.Mahmuti, i cili alarmoi për situatën e krijuar në Dhomat e Specializuara.

“Kambana rreh për atë që ka vesh të dëgjojë. Alarmin që japin avokatët, është alarm që është dhënë edhe më parë. Disa muaj para se të arrestoheshin ish-udhëheqësit e UÇK-së,  një intelektual i njohur francez, i cili ka shkruar për shqiptarët që nga Ilirët e deri te pavarësia e Kosovës, thekson manipulimet e mëdha që i janë bërë BE-së nga shërbimet sekrete serbe dhe ruse, për të miratuar një strukturë, e cila do të vë në bankë të akkuzës luftën çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës”, thotë Mahmuti.

Sipas tij, ajo që po ndodh sot në Hagë, nuk ka lidhje  vetëm fatin e individëve, por janë bërë mbi 16 muaj që njerëzit, padrejtësisht mbahen larg familjeve të tyre, në kushte të këqija, se nuk ka burg të mirë.

“Mund të krijohet përshtypja se Haga është në Evropë dhe atje kushtet janë të mira. Ky është një proces tejet i rëndë, se nuk kemi të bëjmë me fatin intelektual, por është e vendosur në bankë të akuzës lufta jonë. Pra, qëllimi është politik edhe i gjithë kësaj strukture. Sepse, në thelb ishte pikërisht të dënohet Lufta Çlirimtare e Kosovës”, tha ai.

Gjithashtu, Mahmuti rikujtoi përpjekjet e shumta që pati ai bashkë me udhëheqësit e UÇK-së ta bindin botën se ajo po bën luftë nacional-çlirimtare e jo vetëm një organizatë terroriste, ashtu siç pretendonte Serbia ta pasqyrojë këtë strukturë në sy të  ndërkombëtarëve. 

“Me mund dhe angazhim të madh diplomatik, drejtoria politike e UÇK-së ka ndërmarrë me qindëra aktivitete që ta bindim botën se kjo strukturë ka njerëz që kanë vlera demokratike, dhe të cilët po mundohen të çlirojnë vendin dhe t’i japin mundësi Kosovës të ndërtojë një shoqëri të hapur demokratike”, u shpreh Mahmuti.

Elementi tjetër, thotë ai, është se duhet  që të jemi më vigjilentë rreth alarmit që bëjnë avokatët e Thaçit, Veselit, e intelektualëve të ndryshëm që ia donë të mirën Kosovës. 

“Sot ta vendosësh lufta çlirimtare te Kosovës në bankën e akuzës dhe duke bërë përgjegjëse UÇK-në për krimet e sajuara në laboratoret e shërbimeve sekrete serbe, qëllimi është veçse politik. Qëllimi është që të ndëshkohet kjo luftë dhe pikërisht të rishkruhet historia e asaj çka ka ndodhë në Kosovë në dëm të popullit shqiptar të saj dhe në dëm të pavarësisë së Kosovës”, tha Mahmuti.

Prandaj, ai thotë se shkrimi i historisë që po bëhet para syve tonë, duhet të na alarmojë të gjithëve. 

“Në rend të parë institucionet shtetërore të Kosovës, që e kanë për obligim të sensibilizohen në maksimum, sepse për këtë punë nuk vlejnë inatet personale, por është çështje për interesat jetike të popullit të Kosovës. është cështje jetike e pavarësisë së Kosovës. Duhet lënë anash divergjencat personale dhe të angazhohen dhe mobilizohen të gjithë si në rrafshin politik, intelektual, juridik e diplomatik që ta fitojmë edhe këtë betejë”, tha ai. 

Ndërsa, avokati Taulant Hodaj tha se duhet kërkuar transparencë nga Dhomat e Specializuara në Hagë. 

“Organizatat kredibile duhet të kërkojnë transparencë nga dhomat e specializuara në Hagë”, tha Hodaj. 

Ai më vonë tha se procedura gjyqësore do të zgjasë me vjet bazuar në atë që po shohim. 

Kurse, Artan Behrami tha se ka mungesë në rrafshin diplomatik dhe sensibilizim nga shoqëria civile.

“Po mungon rrafshi diplomatik dhe sensibilizimi i opinionit publik nga shoqëria civile lidhur me gjykimin në Hagë”, tha ai. 

Prandaj, sipas Behramit duhet të forcohet vetëm sistemi monitorues nga ana jonë dhe të sigurohemi që po gjykohet drejtë. Sipas tij,  zhbërja do të kishte pasoja për shtetin.

Ndërkaq, Faton Klinaku përmend se në aktakuzë ka procese gjyqësore që i kane kaluar të tjerët para tyre. 

Emisionin e plotë mund ta ndiqni më poshtë:

 


MË SHUME NGA Lajme