Në dy shkolla profesionale, po zbatohet projekti i “VET-punësimit"
Albana Bajrami
Nxënësit e shkollave profesionale në Kosovë, do të kenë mundësi të trajnohen përmes projektit të vet-punësimit “Inkubatorë në shkolla”, për t’u orientuar në fushat me prioritet për tregun e punës.
Ky projekt ka filluar të zbatohet nga instituti Edguard dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës, në shkollat “Shtjefan Gjeçovi” në Prishtinë dhe “Skender Luarasi”, në Suharekë. Kjo hapësirë, do të transformojë pikëpamjet e të rinjve mbi ndërmarrjet e reja dhe do të ofrojë një ndërlidhje të arsimit profesional me nevojat e tregut të punës.
Në dy shkolla profesionale në Kosovë, ka filluar të zbatohet projekti i “VET-punësimit” që synon krijimin e një infrastrukture të qëndrueshme për mbështetjen e ndërmarrësisë tek nxënësit e shkollave profesionale. Projekti, i cili është mbështetur nga Ministria e Kulturës, ka për synim themelimin e inkubatorëve të biznesit me bazë në shkollë dhe ngritjen e kapaciteteve të nxënësve, si një reformë që synon të zbatohet në të gjitha shkollat profesionale.
Drejtori i shkollës së mesme profesionale “Skender Luarasi” në Suharekë, Hamdi Bytyçi, tha për Radio Kosovën se fokusi i këtij projekti është në krijimin e hapësirave për diskutim, në hartimin dhe realizimin e projekteve nga ana e nxënësve, të cilët do të përfitojnë kulturë ndërmarrëse.
“Kemi dhënë një performancë të mirë si shkollë në këtë drejtim, sidomos në krijimin e disa bordeve industriale. Këto borde e bëjnë një lidhshmëri shuam të mirë në mes të bizneseve dhe shkollës, gjegjësisht ato biznese që kanë interes ta kenë këtë lidhshmëri me shkollën, e cila ofron profesione që janë të kërkuara nga tregu”, ka thënë Bytyqi.
Bytyçi, foli edhe për profilet të cilat janë përzgjedhur, derisa theksoi se nxënësit do të japin idetë për realizimin e projektit.
“Janë zgjedhur disa profile që ne i gjenerojmë, duke u nisur nga profili i automekanikëve, pasi kemi jë laborator të mirë për këtë, pastaj kemi një kabinet shumë të mirë për dizajn dhe modë, kemi kabinete për IT”, ka shtuar Bytyqi.
Drejtuesi i Institutit Edguard, Rinor Qehaja, tha për Radio Kosovën se përfituese të projektit janë shkollat profesionale, të cilave do u ofrohet një model i mirë i funksionimit të inkubatorit me bazë në shkollë dhe dokumentet përcjellëse që rregullojnë mbarëvajtjen e punës së inkubatorit.























