Allegri: Për titullin duhen 85 pikë, ne nuk i arrijmë
Trajneri i Juventusit Max Allegri, në prag të sfidës kundër Empolit, ka folur në konferencën për media për situatën e ekipit, ndeshjen që pret, si dhe gjendjen e lojtarëve.
“Janë dy ose tre lojtarë nga ekipi U23 që janë të gatshëm për të luajtur. Duhet të dimë se nesër duhet vetëm të fitojmë pasi në ndeshjen e parë kemi humbur ndaj një ekipi që është shumë i vështirë për ta mposhtur. Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe për këtë arsye duhet të karikojmë bateritë, jo vetëm në aspektin fizik, por edhe mendor”, ka theksuar Allegri.
Ai ka folur edhe rreth mundësive që skuadra e tij ta mbyllë edicionin pa trofe: “Këtë do ta shohim në fund. Jemi ende në garë në të gjitha frontet dhe kjo nuk është diçka e vogël. Në mars skuadra do të vazhdojë të luftojë për një vend në top 4 në kampionat pasi vendi i parë është i pamundur, gjithashtu do të kemi Kupën e Italisë me një gjysmëfinale të bukur, si dhe ndeshjen e kthimit në Champions League që nuk është aspak e lehtë”.
Allegri në fund ka folur edhe rreth garës për titull, por pa dhënë emra favoritësh. “Duke qenë se jemi në luftë për vendin e katërt, nuk do të flas kush është më e favorizuar për këtë pozitë. Megjithatë, mund të flas për garën për titull pasi ne jemi jashtë nga ajo garë. Këtë vit mjaftojnë 85 pikë për të fituar kampionatin. E ne në kuotën e 85 pikëve nuk mund të arrijmë”, ka përfunduar Allegri.























