Presidentja Osmani alarmon për rrezikun e ndikimit rus edhe në Ballkan
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron këto ditë në Turqi, në një intervistë të drejtpërdrejtë për RTK, alarmoi për gjendjen në Ukrainë dhe rrezikun hegjemonist nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
“Siç e kemi përmendur këto ditë, vazhdimisht kur kriza në Ukrainë po eskalonte, natyrisht që interesat hegjemoniste të Rusisë dhe satelitëve të saj veçanërisht në Serbi, janë që të kërkojnë pretendime territoriale në raport me shtete të tjera. Ata mundohen që të shuajnë dëshirat për një shtet të lirë e demokratik. Në rastin konkret ashtu si presidenti Putin e konteston të drejtën e Ukrainës që të ekzistojë si shtet i lirë dhe i pavarur, njësoj edhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, konteston të drejtën e Kosovës për të jetuar e lirë dhe e pavarur. Prandaj, ne këtu e shohim një koherencë të plotë të tyre dhe kjo tregon se ata kanë interesat e njëjta, kanë strategji të njëjta dhe mbi të gjitha, ata i kanë qëllimet e njëjta”, tha Osmani.
Sipas saj, kjo që po ndodhë sot në Ukrainë, lufta e tmerrshme atje, është për shkak të këtyre interesave hegjemoniste të diktatorit Putin.
“Natyrisht që kjo mundë të krijojë pasoja njësoj edhe në pjesët e tjera të botës. Ne duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të bashkëpunojmë me fqinjët tanë në rajon që ndajnë vlera të përbashkëta euroatlantike të punojmë shumë afër me partnerët tanë strategjik, SHBA-në BE dhe shtetet tjera liridashëse dhe paqedashëse” ka thënë presidentja Osmani.
Presidentja tha duhet të sigurohemi që institucionet tona të sigurisë, të jenë të përgatitura në plotëni dhe ti kenë kapacitetet e plota, në rast të një agresioni të tillë, apo në rast të keqpërdorimit të strukturave ilegale dhe kriminale, në veri të Kosovës, që Serbia i ka nxitur dhe paguar vazhdimisht.
“Kosova tash më, si vend i vogël që është, ka shprehur solidaritetin më Ukrainën, kemi nxjerr njëlloj masash dhe i kemi miratuar ato, në përpushmëni të plotë me masat që i kanë ndërmarrë SHBA dhe BE”, tha Osmani.
Presidentja tha se Kosova është e gatshme të pranojë edhe refugjatë nga Ukraina brenda kapaciteteve që i ka, njësoj si ka bërë edhe për refugjatët nga Afganistani.
Për më shumë ndiqni videon në vazhdim:























