Drizan Shala: Qëllimi i Putinit është ndarja e Ukrainës
BKT
Lajme

Drizan Shala: Qëllimi i Putinit është ndarja e Ukrainës

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një intervistë për RTK-në ka deklaruar se qëllimi i presidentit rus, Vladimir Putin është ndarja e Ukrainës në dy pjesë.

Ai mendon se nëse ushtria dhe populli ukrainas arrijnë t’i rezistojnë edhe në pesë ditët e ardhshme agresionit rus mbi Ukrainë, atëherë ky konflikt do të përfundojë shumë më shpejtë.

“Në qoftë se Kievi nuk bjen në 5 ditët e ardhshme në duart e rusëve dhe ushtarët ukrainas qëndrojnë, atëherë ky konflikt do të përfundojë shumë shpejt, sepse më pas do të kërkohet që të gjendet një zgjidhje në tavolinë. E Putin kinse në shenjë të paqes do të pajtohet me pushtimin e gjysmës së Ukrainës dhe kësisoj do të kemi Ukrainë ruse dhe Ukrainë evropiane, që në fakt është edhe qëllimi kryesor i Putinit, pasi dihet se gjysma e qytetarëve të Ukrainës janë prorus”, ka theksuar Shala.

Ai më tej ka thënë se nëse lufta do të zgjasë më shumë atëherë numri i viktimave dhe numri i refugjatëve drejt BE-së do të jetë shumë i lartë.  

“Unë shpresoj që ky konflikt të mos zgjasë më shumë se një muaj, sepse nëse vazhdon më shumë atëherë numri i refugjatëve në shtetet e BE-së do të jetë mbi 5 milionë“, ka nënvizuar Shala.

Ai tutje ka thënë se nëse Rusia e pushton plotësisht Ukrainën, atëherë kjo do të ketë ndikimin e saj edhe në Ballkanin Perëndimor, ku do të rriten apetitet e Serbisë për ndarjen e Republikës Srbska dhe ndaj zhvillimeve në Malin e Zi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Prandaj, sipas tij është momenti i duhur që Kosova të bëjë çmos dhe të kërkojë anëtarësimin urgjent të saj në NATO.


MË SHUME NGA Lajme