Çeku: Ukrainasit po dëshmojnë se si mbrohet atdheu
BKT
Lajme

Çeku: Ukrainasit po dëshmojnë se si mbrohet atdheu

Gjeneral-lejtnant Agim Çeku ka thënë se rezistenca e ushtrisë dhe popullit ukrainas ndaj agresionit të Rusisë i ka befasuar për të mirë të gjitha vendet evropiane.

Ai në një intervistë për RTK, ka thënë se pak kush ka pritur një rezistencë të tillë, duke e njohur forcën e Rusisë.

"Pak kush e ka pritur këtë rezistencë të Ukrainës duke e njohur forcën e Rusisë dhe duke njohur Putinin dhe mendësinë e tij. Na kanë befasur të gjithëve për të mirë, kanë dhënë një shembull të jashtëzakonishëm se si mbrohet vendi, si mbrohen vlerat me të cilat jetojnë, është për t'u përgëzuar deri më tani. Uroj të qëndrojnë kështu deri në fund, deri në çlirimin e vendit të tyre”, ka theksuar Çeku.

Ai ka thënë se ushtria ukrainase ka qenë pak e njohur për forcën e saj, pasi në vitin 2014 e humbi Krimenë dhe dy provinca tjera.

“Në atë periudhë disi nuk rezistoi aq shumë, pasi Rusia me një lehtësi të madhe e aneksoi Krimenë dhe as pas 8 vjetëve Ukraina nuk pati asnjë tentim serioz për ta kthyer nën administrimin e saj. Ky fakt ka lënë të dyshohej në vendosmërinë e ushtrisë së Ukrainës. Por në këto pestë ditë të luftës ata janë për t’u lavdëruar”, ka nënvizuar Çeku.

Ai ka thënë se fuqia ushtarake e dy vendeve është e pakrahasueshme, por morali ushtarak është në anën e ukrainasve.

“Rusia është superfuqi dhe në vitet e fundit prej se është Putini në pushtet vazhdimisht e ka rritur fuqinë e saj ushtarake dhe ekonominë. Megjithatë, morali i ushtarëve ukrainas është më i lartë”, ka shtuar ish-gjenerali i UÇK-së dhe TMK-së.


MË SHUME NGA Lajme