Kosova pritet të strehojë 20 gazetarë ukrainas që punojnë nga distanca
Kosova planifikon të ofrojë strehim deri në gjashtë muaj për 20 gazetarë ukrainas të detyruar të largohen nga vendi i tyre pas pushtimit nga Rusia, sipas një dokumenti qeveritar të parë nga agjencia e lajmeve Reuters të martën.
Dokumenti thotë se përparësi do t'u jepet gazetareve femra të cilat do të zgjidhen nga Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF).
Qeveria fillimisht do të ndajë 150 mijë euro për të paguar shpenzimet e tyre të jetesës, pagat dhe zyrat për një periudhë deri në gjashtë muaj, për t'u mundësuar atyre të punojnë në distancë.
Gushtin e kaluar Kosova gjithashtu ra dakord të presë përkohësisht rreth 2,000 afganë që kërkonin viza për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Shumica prej tyre tashmë janë larguar edhe pse disa janë ende në pritje të dokumenteve të tyre.
Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por ka 40 trupa që shërbejnë si paqeruajtës në vend nën ombrellën e NATO-s.























