Kuvendi i Kosovës mban një minutë heshtje për viktimat në Ukrainë
Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, deputetët kanë mbajtur sot një minutë heshtje për viktimat ndaj agresionit rus.
Kjo u bë me kërkesë të kryeparlamentarit, Glauk Konjufca.
“Ne dakordim me Grupet Parlamentare, kam një kërkesë që ta mbajmë një minutë heshtje në nderim të viktimave që u vranë nga invazioni i papranueshëm e ta paprovokuar të Federatës ruse mbi popullatën e pafajshme të Ukrainës”, tha Konjufca.
Deputetët kanë mbajtur në duar pankarta në të cilat shkruhej se qëndrojnë me Ukrainën.
Ndërsa shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në hapje të seancës së Kuvendit ka deklaruar se janë pajtuar me grupet e tjera parlamentare që të tejkalohen tri pikat e para të rendit të ditës dhe të kalohet në trajtimin e rezolutës në mbështetje të Ukrainës.
“Ne shefat e grupeve parlamentare jemi dakorduar dhe propozojmë mocionin procedural sot që në seancën e rrregullt të Kuvendit të Kosovës të kalojmë pikën 1,2 dhe 3 dhe të kalojmë në pikën e trajtimit të rezolutës së Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të Ukrainës në këto ditë kur po ballafaqohen me agresionin rus”, ka thënë Kusari-Lila.
87 deputetë kanë votuar për shmangie nga rendi i ditës.























