Kuvendi miraton Rezolutën që dënon agresionin rus në Ukrainë
BKT
Lajme

Kuvendi miraton Rezolutën që dënon agresionin rus në Ukrainë

Me përkrahje të të gjitha grupeve parlamentare, pos atij të Listës Serbe (të cilët lëshuan sallën gjatë votimit) Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rezolutën që dënon agresionin rus në Ukrainë.

Rezolutën e ka lexuar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Rezoluta është votuar me 94 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Lista Serbe e ka lëshuar sallën para votimit.

Po ashtu, shprehet kërkesa e Kuvendit ndaj Qeverisë për gatishmërinë për strehimin e 5 mijë refugjatëve nga Ukraina. Në tekstin e Rezolutës, po ashtu, thuhet se Serbia s’është distancuar nga krimet dhe gjenocidi në Kosovë dhe në vend se Serbia të ishte e dënuara, sot Kosova dhe lufta e saj po gjykohen padrejtësisht, duke aluduar në eprorët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

 

TEKSTI I PLOTË I REZOLUTËS

Nisur nga gjendja e krijuar në Ukrainë, ku kontinenti evropian po përballet me situatë të paprecedent që nga Lufta e Dytë Botërore;

Duke e pasur parasysh se sulmi i Federatës Ruse ndaj Ukrainës është kërcënim për sigurinë e Ukrainës dhe popullit të saj, por dhe kërcënim ndaj vlerave demokratike, sigurisë në Evropë dhe paqes në botë;

Duke njohur vuajtjet e sakrificat e luftës, i japim mbështetje të plotë popullit të Ukrainës, institucioneve demokratike të cilët po mbrojnë atdheun, paqen e lirinë si vlera universale, duke luftuar e duke u mbrojtur nga sulmi pushtues i Federatës Ruse, i nisur më 24 shkurt 2022 dhe i paraprirë me aneksimin e dhunshëm dhe arbitrar të Krimesë dhe rajoneve të Donbaskut prej vitit 2014;

Duke ritheksuar shqetësimin e lartë për ndikimin dhe ndërhyrjen e Federatës Ruse në vendet e Ballkanit perëndimor përmes Serbisë, Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë dhe manifestimet e saj obstruksioniste si përpjekja e dështuar për grushtin e shtetit në Mal të Zi, përpjekjet e ngjashme në Maqedoninë e Veriut, deri tek përfshirja e ambasadorit të Federatës Ruse si kërcënim i bashkrenduar me Presidentin e Serbisë në inspektimin ushtarak të Forcave Serbe në kufirin me Kosovën gjatë shtatorit 2021;

Duke theksuar se çështja e Kosovës në Jugosllavi dhe ndërhyrja humanitare e NATO-s në Kosovë për të ndalur aparatin shtetëror të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë nuk ka asnjë ngjashmëri me Ukrainën e sotme dhe institucionet e saj legjitime.  Ndërhyrja humanitare e NATO-s kishte për qëllim ndalimin e spastrimit etnik të Kosovës dhe shpëtimin nga gjenocidi i shkaktuar nga agresioni i Serbisë, që dëboi 1 milion shqiptarë, vrau mbi 12.000 civilë, në mesin e tyre mbi 1300 fëmijë, kreu më shumë se 400 masakra, dhunoi rreth 20.000 gra dhe vajza, dogji qindra mijëra shtëpi, shkatërroi pasurinë, monumentet kulturore, fetare e historike, si dhe  plaçkiti artefaktet. Kur Aleanca më e madhe e shteteve e prirë nga NATO ndërhyri në Kosovë në vitin 1999, ajo e bëri këtë pas dekadave të diskriminimit e shtypjes të drejtuara  nga Serbia, dhunës sistematike dhe spastrimit etnik të vazhdueshëm.

Rruga e Kosovës drejt pavarësisë u çel pas viteve të spastrimit etnik, burgosjeve e vrasjeve mbi baza etnike dhe abuzimeve masive të të drejtave të njeriut. Ndërsa ligjshmëria dhe legjitimimi ndërkombëtar i pavarësisë së Kosovës shpalluar më 17 shkurt 2008 është vërtetuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me vendimin e marrë në vitin 2010.

Kuvendi i Kosovës përkujton se shteti i Serbisë asnjëherë nuk është distancuar nga krimet dhe gjenocidi në Kosovë, si dhe ende heziton të  nxjerrë para drejtësisë kriminelët e luftës. Në vend se Serbia të ishte e dënuara, sot Kosova dhe lufta e saj po gjykohen padrejtësisht.

Duke marrë parasysh vullnetin e fortë të popullit të Kosovës dhe konsensusin politik e shoqëror për integrim euro-atlantik të Kosovës;

Në funksion të ruajtjes së paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor;

Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 65 të Kushtetutës së Kosovës, dhe nenit 6, paragrafi 1, të Rregullores të Kuvendit, me propozimin e grupeve parlamentare nënshkruese, miraton këtë:

 

REZOLUTË

1.         Kuvendi i Republikës së Kosovës e dënon në mënyrën më të ashpër të mundshme agresionin dhe invazionin e paligjshëm, të paprovokuar dhe të pajustifikuar ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës si dhe përfshirjen e Bjellorusisë në këtë agresion.

2.         Kuvendi i Republikës së Kosovës renditet krahas aleatëve perëndimorë në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj, si dhe kundërshton fuqishëm qasjen dhe sjelljen pak vendeve të rreshtuara krah agresionit dhe terrorit Rus ndaj Ukrainës, nisur nga fqinji ynë verior Serbia.

3.         Kuvendi i Republikës së Kosovës mbështet popullin dhe institucionet e Ukrainës, si dhe dënon vrasjet e civilëve dhe fëmijëve. Gjithashtu përshëndetë fillimin e hetimeve nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte dhe mbështet dërgimin e rastit nga Ukraina në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

4.         Kuvendi i Kosovës mbështet vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe politike nga Qeveria e Republikës së Kosovës ndaj Federatës Ruse, në linjë me sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe të gjitha vendet demokratike.

5.         Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës që, krahas gatishmërisë për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas, t’i koordinon të gjitha veprimet e mëtutjeshme me partnerët ndërkombëtar, si dhe të shpreh gatishmërinë për strehimin eventual të deri 5000 (pesë mijë) refugjatëve nga Ukraina.

6.         Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës që, të ndaj një fond të veçantë për ndihmë ndaj popullit ukrainas, sipas koordinimit ndërmjet të dy qeverive respektive, Kosovë – Ukrainë.

7.         Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që, në koordinim me partnerët ndërkombëtar të ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme për dorëzimin e kërkesës për anëtarësim të Republikës së Kosovë në NATO, Bashkim Evropian, Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

8.         Kuvendi i Republikës së Kosovës i bënë thirrje NATO-s, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe organizatave të tjera ndërkombëtare të shqyrtojë kërkesën dhe të konsiderojnë rëndësinë për anëtarësim të Republikës së Kosovës.

9.         Kuvendi i Republikës së Kosovës u bën thirrje vendeve të Bashkimit Evropian të cilat ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, që në harmoni me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ta ndërmarrin sa më parë këtë akt politik - njohjen e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, e që është edhe në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe BE.

10.       Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës që, në konsultim me misionin e NATO-s në Kosovë, të rishikojë dhe shkurtojë afatet e parapara në planin 10-vjeçar të vitit 2018 për avancimin e FSK-së në ushtri të rregullt, përfshirë këtu edhe sigurimin e mbështetjes financiare të nevojshme për këtë qëllim.

11.       Kuvendi i Republikës së Kosovës udhëzon Kryetarin e Kuvendit që, në koordinim me Qeverinë dhe partnerët ndërkombëtar t’i drejtohen institucioneve më të larta shtetërore të Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë, Greqisë dhe Qipros, me ftesën për ta njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës sa më parë, duke dhënë kështu kontribut të jashtëzakonshëm në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe BE.

12.       Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh aspiratat tona të përbashkëta për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe konsolidimin e demokracisë dhe sigurisë në rajon, fton Parlamentin e Republikës së Shqipërisë, Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Parlamentin e Republikës së Malit të Zi, Parlamentin e Republikës së Bosnjës dhe Hercegonivës të bashkohen në këtë nismë dhe të shprehen në mbështetje.


MË SHUME NGA Lajme