Bislimi: Palët të jenë të barabarta në dialog
BKT
Lajme

Bislimi: Palët të jenë të barabarta në dialog

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislmi ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të jetë i bazuar në principe të caktuara dhe palët duhet të jenë të barabarta.

Sipas tij, pala kosovare dhe ajo serbe, kanë pikëpamje të ndryshme se si e shohin përfundimin e dialogut.

“Në çdo kontekst kur ne kemi hasur qasje të pabarabartë jemi vendosur që ta vendosim principin e prioritetit dhe kjo është vërejtur në terren dhe në tavolinën e bisedimeve”, tha Bislimi ne tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ku është diskutuar lidhur me ecurinë dialogut Kosovë-Serbi nën drejtimin e Qeverisë Kurti.

“Pala tjetër në dialog, është e përfaqësuar nga Petkoviç i cili është vetëm udhëheqës i një zyre për Kosovën dhe nuk ka kurrfarë pozicioni brenda Qeverisë së Serbisë”, ka shtuar ai.

Bislmi shtoi se Qeveria Kurti në fillim të mandatit ka dalë me deklarime që i ka prioritetet bazë.

“Kemi cekë që prioritet për ne është menaxhimi i pandemisë, integrimi në BE e të ngjashme. Në këtë kontekst dialogu si proces është prioriteti i katërt dhe pastaj nisur nga kjo dikush ka dal me konstatime se Qeveria Kurti nuk e merr seriozisht dialogun”.

Ndryshe më 23 shkurt, Bislimi kishte mohuar pretendimet e kryenegociatorit serb, Petar Petkoviç, se pala kosovare ka refuzuar një takim trepalësh në dialog, dhe se sipas tij takimi në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi ka pasur qëllim përgatitjen e bisedimeve të ardhshëm në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Kam insistuar që të takohem me Petkoviçin. Mirëpo, duket se për këtë nuk ka qenë i interesuar pala serbe, e cila më vonë ka dalë para mediave, duke theksuar se unë e kam refuzuar këtë. Kjo do të konfirmohet nga vetë kabineti i Lajçakut”, kishte thënë Bislimi gazetarëve në Bruksel, raporton Radio Evropa e Lirë në gjuhën boshnjake.


MË SHUME NGA Lajme