Murati thotë se lufta në Ukrainë tronditi rendin botëror
Valon Murati nga Lëvizja për Bashkim thotë se pushtimi i Ukrainës është një agresion i pashembull, ku në mënyrë të paprovokuar sulmohet një shtet i pavarur dhe sovran.
Murati në "Imazhi i ditës" në RTK tha se rezistenca e ukrainasve është e pritshme, porse kjo luftë e ka tronditur rendin botëror ekzistues.
"Situata në Ukrainë është një agresion i pashembullt, kur në mënyrë të paprovokuar sulmohet një shtet i pavarur dhe sovran. Në anën tjetër kemi një rezistencë, që për mua është e pritshme sepse Ukraina është një shtet i madh, i cili edhe në kohën e Bashkimit Sovjetik ka qenë anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe rrjedhimisht ka edhe një traditë të ndjenjës së shtetformimit. Kjo luftë e ka tronditur shumë këtë rendin që ne e njohim, rendin botëror ekzistues. Këtë rend botëror Rusia dhe presidenti Putin po tentojnë ta ndryshojnë, pra këtë kornizë të marrëdhënieve ndërkombëtare, t'i godas këto institucione ndërkombëtare multilaterale, që janë bazuar në vlerat liberale. Rrjedhimisht kjo po ndodhë që Rusia të rivendos një balancë tjetër të fortë. Për mua mbetet e paqartë se cili është qëllimi i brendshëm në Ukrainë", tha Murati.
Pas kësaj tronditje të rendit botëror apo siç e quan Murati "dridhje", nuk dihet nëse do të jetë Evropa më e njëjtë. Gjithsesi, sipas tij, kjo nuk do të kalojë pa pasoja, por sa do ta ndryshojë sistemin aktual mbetet të shihet.
Murati thotë se kjo situatë në Ukrainë ka bërë të ketë një unifikim të madh të Bashkimit Evropian me Brukselin dhe Uashingtonin, kësisoj duke forcuar aleancën euroatlantike, e cila për dekada ka qenë e çarë.
"Askush nuk e ka pritur një reagim kaq të shpejtë, një unifikim kaq të madh të Bashkimit Evropian me një dhënie të kaq shumë kompetencave Brukselit zyrtar. Në anën tjetër kjo ka bërë që të kemi një afrim më të madh të Shteteve të Bashkimit Evropian me Uashingtonin, të forcohet aleanca euroatlantike e cila pak a shumë në dekadat e fundit ka qenë kogja e qarë. Rusia ka pritur që kjo qarje të thellohet por e ka bërë të kundërtën", tha Murati.























