​Cramon rikonfirmon përkushtimin e saj për heqjen e vizave për Kosovën
BKT
Lajme

​Cramon rikonfirmon përkushtimin e saj për heqjen e vizave për Kosovën

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi priti sot në takim raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, me të cilën ka biseduar mbi integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, përfshirë liberalizimin e vizave.

Bislimi ritheksoi faktin se objektivi kryesor i Kosovës është integrimi në BE. Ai u shpreh mirënjohës ndaj mbështetjes së shprehur për procesin e liberalizimit të vizave, për të cilën pret përmbylljen sa më parë të këtij procesi dhe lëvizjen e lirë për qytetarët e vendit tonë dhe pranimit në Këshillin e Evropës.

Në takim u potencua fakti i pozicionimit të Kosovës krah BE-së dhe vendeve aleate mbi zhvillimet në Ukrainë. Von Cramon tha se e çmon angazhimin e Qeverisë së Kosovës në pozicionimin e saj krah BE-së dhe shteteve aleate, në sanksionet kundër Rusisë.

Zëvendëskryeministri Bislimi tha se Kosova ndan të njëjtat vlera perëndimore me BE-në dhe se përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në BE do t'i shërbente sigurisë rajonale dhe asaj evropiane.

Bislimi foli gjithashtu për dinamikat e avancimit dhe progresit në reformat në kuadër të Agjendës Evropiane, si sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe qeverisja e mirë.

Në përfundim të takimit, Cramon konfirmoi edhe njëherë përkushtimin e saj për ta ndihmuar Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimin në BE.


MË SHUME NGA Lajme